
Pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të institucioneve për sigurimin e bukës së motmotit dhe rëndësinë e prodhimit vendor, Kosova vazhdon të mbështetet në import për furnizimin me një nga produktet bazë ushqimore.
Të dhënat e Doganës së Kosovës për periudhën janar–shtator 2026 tregojnë se vendi ka importuar miell gruri në vlerë prej 5 milionë e 383 mijë eurosh. Sasia e importuar gjatë këtyre nëntë muajve ka arritur në rreth 11 mijë e 433 tonë, shkruan ORAinfo.
Sipas të dhënave të analizuara, importi i miellit ka vazhduar gjatë gjithë periudhës, ndërsa vlera më e lartë mujore është regjistruar në korrik, me rreth 851 mijë euro. Në gusht dhe shtator, importet kanë kapur përkatësisht rreth 670 mijë dhe 673 mijë euro.
Deklaratat për sigurimin e bukës së motmotit janë përdorur edhe në diskursin publik nga përfaqësues të institucioneve. Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, vitin e kaluar kishte deklaruar se Kosova e kishte siguruar bukën e motmotit, ndërsa çështja e prodhimit vendor dhe sigurisë ushqimore ka qenë vazhdimisht pjesë e debatit publik. Shifrat të ngjashme të importit ka pasur edhe vitin e kaluar dhe viteve tjera.
Megjithatë, shifrat e importit tregojnë se tregu kosovar vazhdon të ketë nevojë për furnizim nga jashtë edhe kur bëhet fjalë për miellin, një produkt thelbësor për prodhimin e bukës dhe produkteve të tjera të brumit.
Importi nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesë të rezervave ushqimore apo rrezik të menjëhershëm për furnizim. Megjithatë, ai e vë në pah dallimin ndërmjet sigurimit të furnizimit me ushqim dhe aftësisë së vendit për ta mbuluar kërkesën përmes prodhimit vendor.
Përtej deklaratave politike, sfida mbetet rritja e prodhimit vendor të grurit, mbështetja e fermerëve dhe zvogëlimi i varësisë nga tregjet e jashtme. /ORAinfo/