
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar të dielën lidhur me protestat dhe përplasjet e ditëve të fundit në vend, duke i cilësuar protestuesit që hedhin gurë ndaj policisë si një “grup zjarri i paguar”.
Në një komunikim nga zyra e tij, Rama tha se dëmet e shkaktuara gjatë protestave nuk janë të vogla, por sipas tij, ato mund të riparohen.
“Dëmet nuk janë të vogla, por rregullohen”, deklaroi Rama, duke shtuar se është përpjekur të mos bjerë në atë që e cilësoi si kurthin e dhunës së verbër.
Gjatë reagimit, kryeministri mbajti në dorë një gur, duke paralajmëruar për rrezikun që, sipas tij, paraqet përdorimi i sendeve të tilla gjatë përplasjeve.
Ai tha se një gur mund të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse, ndërsa mohoi që personat që përfshihen në akte të dhunshme të jenë domosdoshmërisht studentë që protestojnë.
“Nuk janë studentët që protestojnë, por një grup zjarri i paguar”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët, sipas tij, janë përballur për orë të tëra me hedhjen e gurëve dhe me dhunën gjatë protestave.
Ai theksoi se familjet e efektivëve të policisë kanë të ardhura modeste dhe kritikoi, siç tha, mënyrën se si ata paraqiten në ekranet televizive, duke u cilësuar si autorë të dhunës.
“Familjet e atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që janë me uniformë dhe nën uniformë marrin këtë dhuratë (për gurin) në breshëri, pa pushim! Me orë e orë të tëra, ndërkohë që në ekrane demonizohen si autorë të dhunës”, deklaroi Rama.
Ai i cilësoi punonjësit e policisë si “heronj të shtetit”, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e tyre gjatë përballjes me protestuesit.
Në fund të reagimit, Rama tha se protestat nuk përbëjnë vetëm një sfidë ndaj tij personalisht apo ndaj qeverisë, por, sipas tij, vënë në pikëpyetje edhe rrugën europiane të Shqipërisë.
“Në këto orë që nuk po sfidohem unë, qeveria, një shumicë qeverisëse, por një rrugë, një mision, një objektiv! Sfidohet Shqipëria europiane, Shqipëria e Bashkimit Europian e vitit 2030”, deklaroi kryeministri.