
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar mediave mëngjesin e sotëm, duke reaguar ndaj dhunës gjatë protestave në Tiranë. Ai ka deklaruar se dhuna nuk ka të bëjë me pakënaqësitë legjitime të qytetarëve dhe me kërkesat e tyre ndaj qeverisë, por synon përmbysjen e rendit.
Rama ka përdorur një gur si simbol të dhunës ndaj efektivëve të policisë, duke theksuar se shteti nuk duhet të negociojë me dhunën.
“Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se Shqipëria e ka përjetuar më shumë se një herë një situatë të tillë, ndërsa pasojat e dhunës, sipas tij, janë plagë që kërkojnë vite për t’u shëruar.
Kreu i qeverisë ka bërë dallim mes protestuesve paqësorë dhe atyre që përdorin dhunën, duke pretenduar se këta të fundit janë të ndikuar nga një ideologji e re ekstremiste, të cilën e ka lidhur me lëvizjen Antifa.
“Janë pengje të një ideologjie të re, që ka vetëm një mision: shkatërro gjithçka, bëje rrafsh që ta ndërtojmë nga e para”, ka thënë Rama.
Kryeministri ka akuzuar gjithashtu grupet e dhunshme se nuk synojnë paqen, por përmbysjen, ndërsa ka pretenduar se ato përdoren nga Antifa, shërbime të huaja dhe, siç i ka quajtur ai, armiqtë e Shqipërisë.
Në deklaratën e tij, Rama ka përmendur edhe Rusinë, duke thënë se ajo nuk është aleate e Shqipërisë dhe duke e lidhur këtë situatë me qëndrimet e figurave ideologjike pranë presidentit rus, Vladimir Putin.
Deklaratat e Ramës vijnë pas protestës së dhunshme në Tiranë, gjatë së cilës u hodhën molotovë ndaj institucioneve shtetërore dhe u raportuan lëndime në radhët e efektivëve të policisë.