Milani sfidon gjigantët evropianë në garë për yllin e Barcelonës

12:58 | 19 Tetor 2026

Milani i është bashkuar Chelseat dhe Bayernit në garën për mbrojtësin e Barcelonës, Jules Kounde, raporton gazeta spanjolle SPORT, duke iu referuar mediumit italian Calciomercato.

Klubi italian po kërkon të përforcojë repartin defensiv me një futbollist të nivelit të lartë dhe e ka vendosur në listën e objektivave reprezentuesin francez, i cili mund të largohet nga Barcelona nëse vjen një ofertë e konsiderueshme.

Chelsea kishte tentuar ta transferonte Kounden edhe para se ai t’i bashkohej Barcelonës, ndërsa Bayerni po e përcjell gjithashtu nga afër situatën e tij.

Një nga arsyet që ka shtuar interesimin e klubeve është pozita e tij te Barcelona. Kounde nuk është më titullar i padiskutueshëm nën drejtimin e Hansi Flickut. Edhe pse minutat e tij janë rritur pas pushimit të fundit për ndeshjet e kombëtareve, Eric Garcia aktualisht preferohet në pozitën e mbrojtësit të djathtë.

Megjithatë, Barcelona nuk ka plane të menjëhershme për ta shitur francezin, i cili ka kontratë deri në qershor të vitit 2030 dhe nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar nga klubi.

Sipas raportimit, në rast se katalunasit do të kishin nevojë të siguronin të ardhura të konsiderueshme nga shitjet, drejtuesit sportivë mund ta shqyrtonin fillimisht largimin e Alejandro Baldes, para Koundes.

Mbrojtësi spanjoll ka humbur hapësirë në formacion, ku Joao Cancelo dhe Xavi Espart janë gjithashtu alternativa për krahun e majtë.

Aftësia e Koundes për të luajtur si mbrojtës i djathtë dhe si qendërmbrojtës mbetet një avantazh i rëndësishëm për Barcelonën.

Megjithatë, një ofertë e lartë mund ta detyrojë drejtorin sportiv Deco ta rishqyrtojë të ardhmen e tij.

Deri më tani, asnjë klub nuk ka bërë një ofertë zyrtare për francezin, i cili aktualisht është i lënduar. Koha e rikuperimit të tij ende nuk është bërë e ditur.

Komento: