
Aktivisti i Aleancës, Argjir Rexha, ka ndërruar jetë, ndërsa lajmi për vdekjen e tij ka pikëlluar familjen, miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur ngushëllime për familjen Rexha, duke vlerësuar kontributin e Argjir Rexhës në aktivitetet e Aleancës, në biznes dhe në zhvillimin lokal.
Në telegramin e ngushëllimit, Gjini e ka kujtuar Rexhën si një nga aktivistët e ditëve të para të Aleancës, i cili u dallua për përkushtimin, idealizmin dhe vullnetin për të kontribuar në rrugëtimin e përbashkët.
Ai ka theksuar se Rexha, si ndërmarrës dhe menaxher, solli risi në gastronominë e Prishtinës dhe tregoi profesionalizëm në fushën e shpedicionit dhe procedurave doganore, duke mbështetur bizneset vendore dhe zhvillimin lokal.
“Për të gjithë ne, ai ishte shembulli i njeriut që rrezatonte vetëm mirësi, gjithmonë pozitiv, i afërt dhe i gatshëm për të kontribuar për një të ardhme më të mirë, pa kursyer asgjë nga vetja”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Gjini ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen, miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, ka përfunduar telegramin e tij kryetari i Aleancës. /Insajderi.org/