“HiB Petrol” zhvat keq kompaninë “Pastrimi”, ia shet naftën me fitim 8,6 herë më të lartë sesa AQP-së

21:10 | 19 Tetor 2026

Një nga kompanitë më të mëdha të shitjes së derivateve në Kosovë “Hib Petrol”, përmes një kontrate gati tre milionëshe të lidhur me kompaninë publike “Pastrimi”, e cila po përballet me gjendje të rëndë financiare ka kalkuluar një fitim prej hiç më pakë se 8.6 herë më të lartë sesa për naftën që kjo kompani ua ka shitur Institucioneve tjera qendrore e lokale përmes kontratën e centralizuar të Agjencisë Kosovare të Prokurimit (AQP).

Bazuar në të dhënat e publikuara nga “Front Online” shihet shumë qartë se katër kontrata për afro 8 milionë litra karburante përmes Agjencisë Qendrore të Prokurimit i japin Hib Petrol një premium të përgjithshëm, pra një fitim neto prej 147 mijë e 220 euro.

Ndërsa një kontratë e vetme me kompaninë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, për vetëm 1,8 milionë litra naftë, parashikon një fitim të pastër prej 279 mijë e 775 euro.

Ky dallim i madh në çmim del nga neni 4, ku përcaktohet çmimi i kontratave.

Pra, në katër kontratat e AQP-së, premiumi i përcaktuar për një litër naftë dhe benzinë është 1,8 ose 2 centë, e deri sa në kontratën e “Pastrimit”, premiumi për një litër naftë është 15,5 centë.

Katër kontrata, 8,37 milionë euro dhe 147.220 euro fitim

Kontratat e AQP-së, të datës 6 gusht 2026, përfshijnë furnizimin me karburante për Policinë e Kosovës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, si dhe për rajonet e Ferizajit, Gjilanit dhe Prizrenit në nivel lokal.

Vlera e përgjithshme e parashikuar e këtyre katër kontratave është 8.379.210,72 euro, ndërsa sasia indikative e karburanteve është 7.965.000 litra.

Në kontratën për furizim me derivate për nevoja të Policisë së Kosovës, neni 4 përcakton premium prej 0,018 eurosh për litër, si për naftën, ashtu edhe për benzinën. Për sasinë indikative prej 4.530.000 litrash, vetë kontrata e jep premiumin total në 81.540 euro.

Vlera e parashikuar e kontratës është 4.778.714,28 euro.

Në kontratën për Lotin 3, furnizim me derivate për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-në, premiumi është po ashtu 0,018 euro për litër.

Për 1.510.000 litra, premiumi total i përcaktuar në kontratë është 27.180 euro, ndërsa vlera e parashikuar arrin në 1.579.406,83 euro.

Në kontratën për Lotin 8, pra furnizim me derivate për rajonin e Ferizajitdhe Gjilanit, premiumi është 0,020 euro për litër.

Sasia indikative është 1.330.000 litra, premiumi total 26.600euro, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës është 1.397.289,71 euro.

Në kontratën për Lotin 6, pra rajonin e Prizrenit, premiumi është gjithashtu 0,020 euro për litër.

Për 595.000 litra, kontrata përcakton 11.900 euro premium, me vlerë të parashikuar të furnizimit prej 623.799,90 eurosh.

Të mbledhura së bashku, këto katër kontrata japin 147.220 euro premium mbi sasinë indikative prej afro 8 milionë litrash.

Te “Pastrimi”, 15,5 centë premium për çdo litër

Në kontratën publike kornizë me KRM “Pastrimi”, si furnizues figuron grupi i operatorëve ekonomikë HIB PETROL SH.P.K., HIB Petrol Corporation SH.P.K. dhe HIB Distribution SH.P.K. Sipas nenit 1.4, kontrata hyn në fuqi më 8 tetor 2026 dhe përfundon më 8 tetor 2029.

Në nenin 4 përcaktohen 1.805.000 litra naftë, me vlerë totale indikative prej 2.911.360,31 eurosh. Në të njëjtin nen shkruhet se premiumi për një litër është 0,1550 euro dhe se ai do të mbetet i pandryshuar gjatë gjithë afatit të vlefshmërisë së kontratës.

Llogaritja mbi sasinë e përcaktuar në dokument, pra 1.805.000 litra × 0,155 euro jep 279.775 euro premium. Kjo shumë është 132.555 euro më e lartë se premiumi i të katër kontratave të AQP-së së bashku.

Komento: