Maignan bëhet cak i racizmit pas humbjes së Milanit, klubi shpërthen në reagim

23:36 | 23 Tetor 2026

Milani ka dënuar abuzimet raciste ndaj Mike Maignan në rrjetet sociale, pas kartonit të kuq që portieri e mori në humbjen 3-0 të së enjtes ndaj Bournemouthit në Ligën e Evropës.

Sipas “MilanPress”, klubi publikoi një komunikatë zyrtare të premten pasdite, pasi portieri ishte bërë cak i sulmeve në internet në orët pas ndeshjes.

“Pas ndeshjes së djeshme kundër Bournemouthit, Mike Maignan ishte cak i fyerjeve të rënda dhe të papranueshme raciste në rrjetet sociale”, thuhej në komunikatë.

“Milani dënon fuqishëm çdo formë të racizmit dhe diskriminimit, të cilat nuk kanë vend brenda apo jashtë fushës. Klubi shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për Mike”.

Maignan u përjashtua me karton të kuq në minutën e 27-të, pasi e shtyu Tyler Adams në fytyrë, teksa Bournemouth po përgatitej ta ekzekutonte një goditje nga këndi. Marcus Tavernier e shndërroi në gol penalltinë e akorduar, ndërsa vendasit vazhduan të fitonin bindshëm ndaj një skuadre me 10 lojtarë.

Reprezentuesi i Francës kishte shpjeguar më herët të premten në rrjetet sociale se gjesti nuk ishte i qëllimshëm.

Kjo nuk është hera e parë që Maignan përballet me abuzime raciste. Në janar të vitit 2024, ai i udhëhoqi bashkëlojtarët duke u larguar nga fusha në Udine, pasi u bë cak i fyerjeve nga tribunat, duke e ndërprerë përkohësisht ndeshjen.

Klubi iu drejtua gjithashtu tifozëve të zhgënjyer nga rezultati i së enjtes, duke u kërkuar që pakënaqësinë ta shprehin në mënyrën e duhur.

“Duhet të qëndrojmë të bashkuar, si milanistë dhe si futboll italian”, vazhdonte komunikata. “Të gjithë duam të fitojmë, por duhet ta bëjmë në mënyrën e duhur, me dinjitet, respekt të ndërsjellë dhe klas”.

Komento: