
Programi për mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, i iniciuar nga Ministria e Punës dhe Familjes, synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve në Kosovë përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike.
Por, derisa institucionet paralajmërojnë mbështetje për familjet që plotësojnë kriteret, disa qytetarë thonë se nuk kanë marrë përgjigje pas aplikimit, ndërsa të tjerë nuk kanë informata të mjaftueshme për mënyrën e përfitimit, shkruan RTK.
Fevzi Hashani nga Obiliqi, i cili është pensionist dhe vazhdon të punojë si taksist për ta ndihmuar familjen, thotë se ka aplikuar për dy vjet radhazi për subvencionimin e energjisë elektrike, por nuk ka përfituar dhe nuk ka marrë përgjigje për arsyet e mosaprovimit.
“Dy vjet rresht kam apliku dhe asnjëherë nuk ma kanë njoft. 239 euro i marr pension, nuk e di arsyen, se s’më kanë kthyer asnjëherë përgjigje”, ka thënë Hashani.
Hashani thotë se vështirësitë ekonomike nuk i përballojnë një pjesë e madhe e qytetarëve, e jo vetëm disa kategori të caktuara.
“Ata duhet me bo lehtësira përmes çmimit të rrymës, e jo vetëm për një pjesë, se në Kosovë është gjendje e madhe e fukarallakut. Ajo është një mallter fytyrës, është një fasadë”, ka shtuar Hashani.
Përkundër njoftimit të Ministrisë së Punës dhe Familjes për mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, disa qytetarë thonë se ende nuk kanë informata të mjaftueshme se ku duhet të aplikojnë dhe si realizohet procesi i aplikimit.
“Dëgju e kemi, por informata nuk kemi, veç çka kemi ni kështu. Është e duhur me i ndihmu popullit, se kanë qitë fatura me çmime ma të larta, por edhe çmimet nuk janë kërkund, se na i kemi shtyllat të lidhuna për drunjve. Energjia elektrike edhe tjetër kah po hupë”, ka thënë Alush Llumnica, qytetar.
“Jo, se paskemi pa. Ishalla në vesh të Zotit. Ma herët s’kemi apliku dhe nuk di që ka pasë ajo lloj platforme. Nuk e di, mundet edhe me qenë rren”, ka thënë Rabit Krasniqi, qytetar.
Nga Ministria e Punës dhe Familjes bëjnë të ditur se përfituesit do të përzgjidhen në bazë të kritereve të përcaktuara në thirrjen për aplikim. Shuma e subvencionimit do të jetë nga 5 deri në 50 euro në muaj, varësisht nga nevojat e familjes. Sipas kritereve të programit, të ardhurat mesatar mujore të familjes për 12 muajt e fundit nuk duhet të kalojnë 150 euro për secilin anëtar të ekonomisë familjare.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Andin Hoti, ka deklaruar se për vitin e ardhshëm janë paraparë 15 milionë euro për subvencionimin e familjeve në nevojë.
“Për vitin e ardhshëm janë 15 milionë euro për subvencionimin e të gjitha familjeve që janë në nevojë. Për afërsisht, ne nuk e dimë numrin e saktë se sa do të jenë përfitues, pasi kjo do të dihet pasi të aprovohen subvencionimet. Vitin e kaluar kanë qenë rreth 100 mijë qytetarë përfitues të këtij programi”, ka thënë Hoti.
Për profesorin e Ekonomisë, Fidan Qerimi, përzgjedhja e familjeve duhet të bëhet me kujdes dhe të mos përjashtohen ata për procedura administrative. Ai e vë në dyshim edhe si zgjidhje afatgjate.
Programi synon të ndihmojë familjet me të ardhura të ulëta dhe kategoritë e tjera në nevojë, qytetarët kërkojnë më shumë informim, transparencë në procesin e përzgjedhjes dhe lehtësira konkrete për përballimin e faturave të energjisë elektrike.