Vetëvendosje shpenzoi rreth 270 mijë euro për tre muaj, ja ku shkuan paratë

11:57 | 27 Tetor 2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar në uebfaqen e tij raportet e shpenzimeve për tremujorin e tretë të vitit 2026 (korrik-shtator) të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas raportit financiar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kjo parti ka shpenzuar 269 mijë e 544.87 euro gjatë periudhës 1 korrik deri më 30 shtator 2026.

Buxheti i LVV-së për këtë periudhë ishte 466 mijë e 736.36 euro, ndërsa diferenca mes buxhetit dhe shumës së shpenzuar ishte 197 mijë e 191.49 euro.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të kësaj partie ishte për paga, për të cilat janë ndarë gjithsej 197 mijë e 723.02 euro.

Nga kjo shumë, 173 mijë e 684 euro ishin paga neto të punëtorëve, 10 mijë e 5.78 euro tatim, ndërsa kontributet e punëtorëve dhe të punëdhënësit ishin nga 7 mijë e 16.62 euro.

Kategoria e dytë më e madhe e shpenzimeve ishte ajo e mallrave dhe shërbimeve, me gjithsej 68 mijë e 51.76 euro.

Në këtë kategori, shpenzimet më të mëdha ishin për qira të ndërtesave, për të cilat LVV-ja ka paguar 48 mijë e 501.27 euro.

Për furnizime zyre, ushqim, pije dhe blerje të tjera të mallrave e shërbimeve, partia ka shpenzuar 5 mijë e 907.78 euro. Ndërkaq, për mirëmbajtjen dhe riparimin e ndërtesave dhe pajisjeve janë shpenzuar 3 mijë e 453.36 euro, shkruan Reporteri.net.

Shpenzimet për internet arritën në 2 mijë e 667.18 euro, ndërsa për karburante për vetura 2 mijë e 314.05 euro. Për shërbime teknike janë shpenzuar 2 mijë e 288.42 euro, ndërsa për mobilje dhe pajisje me vlerë deri në 1 mijë euro, 1 mijë e 475 euro.

Në raport janë evidentuar edhe 734.50 euro për udhëtime brenda vendit, 710.20 euro për marketing, informim publik dhe botime, si dhe 543.20 euro për shpenzime të përfaqësimit.

Për shpenzime komunale, LVV-ja ka raportuar gjithsej 3 mijë e 770.09 euro. Prej tyre, 3 mijë e 32.37 euro ishin për energji elektrike, 415.72 euro për ujë dhe 322 euro për mbeturina.

Ndërkaq, në kategorinë e shpenzimeve kapitale nuk janë regjistruar shpenzime gjatë kësaj periudhe, shkruan Reporteri.

Sa u përket shpenzimeve mujore, LVV-ja ka shpenzuar 76 mijë e 954.38 euro në korrik, 121 mijë e 620.60 euro në gusht dhe 70 mijë e 969.89 euro në shtator.

Raporti financiar tregon gjithashtu se gjatë periudhës korrik-shtator 2026, Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar gjithsej 30 euro donacione në të holla.

Raporti i referohet periudhës 1 korrik deri më 30 shtator 2026 dhe është raportuar më 1 tetor 2026.

Komento: