Prokuroria në Pejë kërkon paraburgim për ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt, arsye “mospërfillja e gjykatës”

12:04 | 27 Tetor 2026

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e cila u vra para dy dite nga kunati i saj, i cili është në arrati.

Prokuroria po kërkon masën e paraburgimit nën dyshimin se ai ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.

Sipas kërkesës, më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë, Komuna e Pejës, i pandehuri dyshohet se nuk i është bindur pikës I të dispozitivit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor 2026. Përkundër urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Gjithashtu, dyshohet se ka marrë rrobat e vendosura nga viktima në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, nga neni 393, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Pejë.

Komento: