Vetëvendosje në zgjedhje, Haxhiu s’sheh arsye për heqjen e Kurtit nga posti i kryetarit: Është më i votuari në vend

21:15 | 31 Tetor 2026

Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm, ku ndër temat e diskutimit janë edhe zhvillimet e fundit politike dhe procesi i ardhshëm zgjedhor.

Para mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e pyetur nëse mund të ketë ndryshim të kryetarit të Vetëvendosjes, ka deklaruar se nuk sheh asnjë arsye që partia të ndërmarrë një hap të tillë.

Ajo theksoi se kryetari i VV-së gëzon mbështetjen më të madhe qytetare dhe është personi më i votuar në Republikën e Kosovës.

“Është e rëndësishme që të fillojmë një proces të mirë zgjedhor. Kryetari i VV-së ka mbështetjen më të madhe qytetare. Nuk shoh asnjë arsye që VV-ja të bëjë diçka në këtë drejtim, pasi është personi më i votuar në Republikën e Kosovës”, u shpreh Haxhiu për Klan Kosova.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se do t’i njoftojnë për vendimet e marra pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.

Ndryshe, ditë më parë, LVV’ja, pas një mbledhje të përbashkët të mbajtur me drejtuesit e Qendrave të Lëvizjes në Kosovë dhe në mërgatë, njoftoi që janë pajtuar për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme në këtë parti.

Në atë njoftim, nga VV’ja, thuhej mes tjerash se, zgjedhjet e brendshme përbëjnë një proces të rëndësishëm demokratik për ripërtëritjen, konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të strukturave të kësaj partie.

‘’Zgjedhjet e brendshme përbëjnë një proces të rëndësishëm demokratik për ripërtëritjen, konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të strukturave tona. Ato janë mundësi për mobilizim më të fuqishëm organizativ, për zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë, për avancimin e kuadrove dhe për forcimin e lidhjes së drejtpërdrejtë të Lëvizjes me qytetarët në çdo nivel të organizimit’’, njoftohej mes tjerash nga VV’ja.

Komento: