Një ditë e rëndë për Kosovën: Tri vdekje brenda pak orësh në Gjilan dhe Pejë, në mesin e viktimave një foshnjë

15:31 | 01 Nëntor 2026

Tri raste të vdekjes janë raportuar brenda pak orësh në rajonet e Gjilanit dhe Pejës, ku në mesin e personave që u gjetën pa shenja jete është edhe një foshnjë.

Rasti më i rëndë u raportua mëngjesin e 1 nëntorit në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku brenda një shtëpie u gjetën pa shenja jete një 27-vjeçar dhe një foshnjë e gjinisë femërore.

Gazeta Sinjali ka mësuar nga burimet se 27-vjeçari është identifikuar si Adonis Demiri, ndërsa foshnja ishte vajzë. Një detaj tjetër i mësuar nga burimet e Sinjalit është se nëna e foshnjës nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me 27-vjeçarin dhe vogëlushen.

Dy trupat u gjetën rreth orës 08:47, pas një informate të pranuar nga Policia. Rasti po trajtohet si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të vdekjes po vazhdojnë.

Ndërkaq, një rast tjetër i vdekjes është raportuar në Pejë, ku një person i moshuar u gjet pa shenja jete në banesën e tij, në rrugën “Mbreti Bardhyl”.

Raportimi i Gazetës Sinjali për këtë rast është konfirmuar nga Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka bërë të ditur për Sinjalin se rasti është raportuar rreth orës 11:20, ndërsa vdekja e personit është konstatuar nga personeli mjekësor në vendin e ngjarjes.

Pas njoftimit të prokurorit kujdestar dhe konsultimit me të, është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme.

Siç raportoi më herët Gazeta Sinjali, nga burimet e saj është mësuar se personi që u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Pejë është Besim Nushi.

Në të dyja rastet, organet kompetente po ndërmarrin veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e vdekjeve.

Komento: