Detaje të reja nga tragjedia në Demiraj të Gjilanit: Dyshohet se 27-vjeçari mbyti foshnjën, babai më pas të birin

15:56 | 01 Nëntor 2026

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dieles në komunën e Gjilanit.

Gazeta Online Reporteri.net nga burimet e saj ka mësuar detaje të reja për tragjedinë në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku në një shtëpi u gjetën të vdekur një burrë dhe një foshnjë rreth tre muajshe.

Sipas informacioneve të fundit që ka siguruar Reporteri dyshohet se fillimisht 27-vjeçari ka privuar nga jeta foshnjën e tij tre muajshe, ndërsa më pas babai i tij dyshohet se e ka mbytur të birin.

Sipas burimeve 27-vjeçari është mbytur me konop nga babai i tij, duke tentuar ta mbrojë foshnjën.

Rasti tragjik u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë, më 1 nëntor, rreth orës 08:47, është pranuar informacioni për dy trupa të pajetë në një shtëpi në fshatin Demiraj të Gjilanit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e të dy personave.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Policia ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Komento: