
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Demiraj të Gjilanit, ku mëngjesin e sotëm janë gjetur të vdekur një 27-vjeçar dhe foshnja e tij rreth tre muajshe (babai dhe vajza).
Lajmi për rastin e rëndë u konfirmua nga Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, informacioni për dy trupa të pajetë në një shtëpi në Demiraj është pranuar rreth orës 08:47. Viktimat janë një person i gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 1999, dhe një foshnjë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku është konstatuar se të dy personat ishin pa shenja jete.
Arrestohet babai i 27-vjeçarit
Pas hetimeve fillestare, Policia ka bërë të ditur se dyshohet që ngjarja ka ndodhur brenda familjes.
Në cilësinë e të dyshuarit është arrestuar babai i 27-vjeçarit, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.
Ndërkohë, sipas burimeve të Reporteri.net dyshohet se 27-vjeçari fillimisht ka mbytur foshnjën e tij. Gjithnjë, sipas burimeve, më pas babai i 27-vjeçarit ka ndërhyrë në përpjekje për ta mbrojtur foshnjën, ndërsa gjatë përplasjes dyshohet se e ka mbytur të birin me litar.
Megjithatë, ende nuk ka një version zyrtar nga Policia e Kosovës.
Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e të dy personave.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa Policia dhe Prokuroria janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.