
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar edhe 21 mijë e 226 kilogramë produkte mishi në kuadër të procesit të tërheqjes së produkteve ushqimore nga operatori ekonomik ELKOS SH.P.K.
Sipas njoftimit të AUV-së, produktet janë tërhequr nga tregu dhe janë asgjësuar më 30 tetor, nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë.
Në mesin e produkteve të asgjësuara përfshihen mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish i grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera ushqimore.
Ky proces vjen pas urdhrit fillestar të AUV-së për ndalimin e shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3 mijë e 130 kilogramëve kofshë pule të ngrira, pasi ishte konstatuar prania e mykut.
AUV ka bërë të ditur se gjurmueshmëria dhe grumbullimi i sasive të tjera po vazhdojnë, veçanërisht për produktet te të cilat janë vërejtur ndryshime të cilësive organoleptike, përfshirë praninë e mykut.
Agjencia ka njoftuar se do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit, verifikimin e dokumentacionit të importit, kushteve të ruajtjes dhe zinxhirit të ftohjes, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.