
Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin për Kosovën.
Sa i përket lirisë së medias dhe shprehjes, BE vlerëson se Kosova ka garanci të përshtatshme ligjore për lirinë e shprehjes, por se mjedisi për funksionimin e lirë, të pavarur dhe profesional të mediave duhet të përmirësohet. Raporti evidenton sulmet ndaj gazetarëve, presionin ndaj mediave, krizën financiare të RTK-së dhe mungesën e transparencës në pronësinë dhe financimin e mediave.
Sipas raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve. Megjithatë, ky numër paraqet një rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak.
Në mesin e rasteve të evidentuara përfshihen pengimi i punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuzat dhe gjuha e ashpër e përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndaj gazetarëve dhe mediave.
“Gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, një rënie e konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak. Sulmet përfshinin pengimin e punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuzat dhe gjuhën e ashpër të përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin, ndaj gazetarëve dhe mediave”, thuhet në raport.
Komisioni Evropian thekson se zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga deklaratat që shënjestrojnë ose diskreditojnë gazetarët, ndërsa sulmet dhe frikësimi i tyre duhet të dënohen.
Gjatë kësaj periudhe, një kameraman është arrestuar dhe mbajtur përkohësisht në ndalim nga Policia e Kosovës, ndërsa të paktën katër persona janë ndaluar për kërcënimin e gazetarëve. Rastet e frikësimit kanë përfshirë edhe ngacmimet në internet dhe publikimin e të dhënave personale të gazetarëve. Ndërkohë, raporti thekson se nuk është regjistruar asnjë rast i padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).
Në aspektin legjislativ, Komisioni vlerëson se Kosova ende nuk e ka harmonizuar plotësisht legjislacionin me acquis-në e BE-së për lirinë e shprehjes dhe mediat, veçanërisht me Aktin Evropian për Lirinë e Medias dhe kornizën ligjore të BE-së kundër padive SLAPP.
Sipas raportit, nevojiten përpjekje të mëtejshme për krijimin e një kornize të plotë dhe koherente rregullatore për mediat online dhe për zbatimin efektiv të saj.
Komisioni vëren se ende nuk janë miratuar Ligji i ri për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Po ashtu, Ligji për shpifjen civile duhet të harmonizohet me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pas shfuqizimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave nga Gjykata Kushtetuese, raporti kërkon hartimin e një projektligji të ri në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Kërkohet gjithashtu që kompetencat rregullatore të shtrihen edhe te mediat online.
Një zhvillim pozitiv i evidentuar në raport është funksionalizimi i bordeve të Radio Televizionit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur të Mediave. Në prill të vitit 2026, Kuvendi emëroi gjashtë nga tetë anëtarët që mungonin në Bordin e RTK-së, si dhe të gjashtë anëtarët që mungonin në KPM.
Megjithatë, në Bordin e RTK-së vazhdojnë të jenë katër vende të paplotësuara, përfshirë një vend të rezervuar për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.
Procesi i emërimeve është kritikuar nga shoqëria civile për mungesë transparence dhe parregullsi. Po ashtu, vendimet dhe gjobat e shqiptuara nga KPM-ja ndaj mediave gjatë trajtimit të lëndëve të mbetura nga ciklet zgjedhore të vitit 2025 janë kritikuar, ndërsa është vënë në pikëpyetje edhe ligjshmëria e tyre.
Raporti thekson se Bordi i Ankesave i KPM-së nuk ka pasur kuorum që nga nëntori i vitit 2023.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet gjendjes financiare të transmetuesit publik. Sipas Komisionit Evropian, funksionimi i RTK-së gjatë periudhës raportuese është karakterizuar nga një krizë e thellë financiare, e shkaktuar nga bllokada institucionale, e cila është lehtësuar pjesërisht pas konstituimit të Kuvendit në shkurt të vitit 2026.
Megjithatë, nuk është shënuar progres në krijimin e një modeli afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur të financimit të transmetuesit publik.
RTK-ja vazhdon të përballet me kufizime të mëdha buxhetore, pronësore dhe të burimeve njerëzore. Komisioni vëren se ndarja buxhetore nuk është në përputhje me ligjin aktual dhe as me normën e inflacionit.
Raporti bën të ditur se, pas ndarjes së buxhetit për gjysmën e parë të vitit 2026, RTK-së iu desh të paguante interesin për huan prej 2.7 milionë eurosh që kishte marrë nga Qeveria për të mbijetuar financiarisht nga korriku deri në tetor të vitit 2025.
Gjendja është rënduar edhe nga kërkesat për ekzekutimin e borxheve që rrjedhin nga kontratat e mëparshme dhe nga një pagesë prej 950 mijë eurosh, e urdhëruar nga gjykata.
Për më tepër, 75 për qind e buxhetit të përgjithshëm të RTK-së vazhdon të shpenzohet për paga. Ndërtesa ku funksionon transmetuesi publik është në gjendje shumë të dobët dhe nuk është pronë e RTK-së.
Edhe pse në korrik Bordi emëroi një drejtor të ri të përgjithshëm, disa pozita të rëndësishme, përfshirë atë të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, dy drejtorëve dhe kryeredaktorit, vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre.
Komisioni Evropian vlerëson se sektori medial në Kosovë vazhdon të vuajë nga mungesa e transparencës për pronësinë dhe financimin e mediave.
Regjistri i mediave përfshin vetëm radiot dhe televizionet e licencuara, ndërsa të dhënat për pjesët e tregut që zotërojnë mediat nuk janë publike.
Kjo situatë, e kombinuar me qëndrueshmërinë e kufizuar financiare, veçanërisht te mediat private të pavarura që nuk janë të lidhura me biznese, i bën ato të varura nga donatorët e huaj ose të cenueshme ndaj ndikimit politik dhe presionit financiar.
Raporti thekson se mediat e pavarura, veçanërisht ato që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, vazhdojnë të kenë mungesë të financimit të mjaftueshëm.
Sipas raportit, gazetarët përballen rregullisht me vonesa dhe pengesa kur kërkojnë qasje në dokumente publike. Mediat në gjuhën serbe vazhdojnë të kenë vështirësi në marrjen e informacioneve në gjuhën serbe, për shkak të zbatimit jo të duhur të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Komisioni vëren gjithashtu se liria e shprehjes për serbët e Kosovës mbetet nën presion, ndërsa zbatimi i rregullave kundër nxitjes së urrejtjes është i pabarabartë. Raporti përmend edhe kufizimet ndaj flamujve serbë dhe simboleve të komunitetit në shumë zona të banuara me serbë.
Sa u përket kushteve të punës, Komisioni thekson se gazetarët vazhdojnë të përballen me paga të ulëta, kontrata afatshkurtra dhe status të pasigurt ligjor. RTK-ja mbetet i vetmi medium që ka sindikatë, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vazhdon të përfaqësojë gazetarët dhe profesionistët e mediave, pavarësisht financimit të kufizuar.
Në anën tjetër, raporti vlerëson se nuk ka kufizime në përdorimin e rregullt dhe të ligjshëm të internetit dhe mediave online që do të përbënin ndërhyrje të padrejtë në të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes.
Raporti tutje shkruan se Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, me 49 anëtarë, vazhdon të përmbushë mandatin e tij për vetërregullimin e mediave, por përballet me mungesë të burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore.
“Transmetuesi publik është i vetmi medium që ka sindikatë, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) vazhdon t’i përfaqësojë gazetarët dhe profesionistët e mediave, pavarësisht financimit të kufizuar.
Kushtet e punës për gazetarët vazhdojnë të jenë të dobëta dhe shpesh karakterizohen nga pagat e ulëta, kontratat afatshkurtra dhe statusi i pasigurt ligjor”, thuhet tutje.