Raporti i BE-së: Qëndrimi ynë është që Ura e Ibrit të hapet, Kosova të nis themelimin e Vetëmenaxhimit për serbët

17:09 | 04 Nëntor 2026

Bashkimi Evropian ka ritheksuar qëndrimin se Ura e Ibrit në Mitrovicë duhet të hapet, duke vlerësuar se kushtet teknike për këtë tashmë janë përmbushur. Megjithatë, BE-ja thekson se nevojitet koordinim më i mirë dhe konsultim kuptimplotë ndërmjet komunave përkatëse dhe institucioneve të nivelit qendror, në mënyrë që ura t’u shërbejë të gjitha komuniteteve, shkruan Express.

Në raportin e saj të publikuar sot, BE-ja ka bërë të ditur se ka marrë në konsideratë ndryshimin e qëndrimit të KFOR-it lidhur me urën, por ka nënvizuar se hapja e saj duhet të shoqërohet me koordinim institucional.

Përveç çështjes së urës, BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha obligimet e tyre nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe aneksi i zbatimit, të njohura si Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, si dhe marrëveshjet e mëhershme të dialogut, pa vonesa dhe pa parakushte.

Në veçanti, BE-ja ka theksuar se Kosova pritet të nisë procesin që çon drejt themelimit të mekanizmave të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, ndërsa Serbia, paralelisht, pritet të nisë procesin e njohjes së dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Sipas BE-së, asnjëra palë nuk ka shënuar përparim të mjaftueshëm në përmbushjen e këtyre obligimeve.

Raporti rikujton se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 mbetet e vlefshme dhe juridikisht e detyrueshme për të dyja palët, ndërsa çështjet formale që lidhen me miratimin apo formalizimin e saj nuk duhet të pengojnë zbatimin.

BE-ja ka paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve nga dialogu mbeten kushte thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se të dyja rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit.

Komento: