
Pas paralajmërimit se shkollat “Ismail Qemali” dhe “Mehmet Gjevori” do të bojkotojnë nesër mësimin, për shkak të problemeve me higjienën, Kryeqyteti ka dalë me një njoftim lidhur me grevën e punëtorëve teknikë.
Përmes një njoftimi, Drejtoria e Arsimit ka bërë të ditur se sot është arritur marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve grevistë dhe se puna e tyre e rregullt pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.
Sipas njoftimit, pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën.
Deri në rikthimin e punëtorëve teknikë, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.
Drejtoria e Arsimit ka bërë të ditur se do të koordinojë dhe mbikëqyrë këto masa, me qëllim të sigurimit të kushteve të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.