
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se tashmë ka nisur edhe procedurat hetimore për rastin e punëtorit të “Raiffeisen Bank”, i cili dyshohet se pa autorizim është qasur në llogarinë bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ka shpërndarë pasqyrën dhe transaksionet financiare.
Lidhur me rastin, Prokuroria ka deklaruar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime në zbardhjen e rastit.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se rasti në fjalë është pranuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme parahetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit”, kanë thënë për Gazetën Express nga Prokuroria e Shtetit.
Për shkak të mundësisë së cenimit të hetimeve, nga Prokuroria nuk kanë ndarë detaje të tjera lidhur me rastin.
“Megjithatë, duke marrë parasysh fazën aktuale të procedurës penale, për momentin nuk mund të ofrojmë detaje shtesë lidhur me këtë çështje, sepse mund të cenohet mbarëvajtja e procesit hetimor”, kanë deklaruar për Express nga Prokuroria e Shtetit.
Të enjten, Komuna e Prishtinës përmes një përgjigjeje me email kishte konfirmuar se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të ndjekë rrugë ligjore për rastin në fjalë.
Sipas Komunës, vetë Banka Raiffeisen ua kishte konfirmuar se e kanë identifikuar personin që është qasur pa autorizim në llogarinë e kreut të Komunës dhe se të njejtin e kanë larguar nga puna.
“Kryetarit Rama i është konfirmuar se një punonjës i Raiffeisen Bank është qasur pa autorizim në llogarinë bankare të tij dhe ka shpërndarë të dhëna personale nga llogaria e tij.Për këtë shkelje të rëndë, kryetari Rama ka dorëzuar ankesë zyrtare dhe ka kërkuar sqarime nga banka. Sipas Raiffeisen Bank, punonjësi i gjinisë mashkull, përgjegjës për këtë shkelje të rëndë është identifikuar dhe është larguar nga puna”, kanë treguar nga Komuna e Prishtinës.
Për rastin në fjalë kanë folur të enjten për Express edhe nga Banka Raiffeisen duke konfirmuar se kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme pas ankesës së Përparim Ramës.
“Ju konfirmojmë se ankesa nga Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, është trajtuar në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore. Pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, përfshirë edhe njoftimin e autoriteteve kompetente.”, kanë deklaruar nga Banka Raiffeisen për Express.