
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka folur për ofrimin e mbrojtjes së grave që janë viktima të dhunës në familje nga ana e Policisë së Kosovës gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së re të policëve.
“Kur një grua iu drejtohet institucioneve, rreziku duhet të vlerësohet me seriozitet dhe masat për mbrojtjen e saj duhet të merren me kohë. Nuk mund të pranojmë që dhuna ndaj grave të trajtohet si një çështje private dhe si një mosmarrëveshje familjare apo që paragjykimet patriarkale të ndikojnë në vendimet e tyre që kanë për detyrë t’i mbrojnë. Kjo mendësi është në kundërshtim me detyrën e policit dhe me përgjegjësinë që shteti ka për mbrojtjen e jetës, andaj nuk duhet të zë vend në institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Deklarata e saj vjen pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar ndihmë dhe kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun për jetë.
Drejtësi për Zekajn po kërkohet tash e sa ditë në sheshet e Prishtinës me thirrjet e protestuesve për shkarkimin e ministrave të Drejtësisë e të Punëve të Brendshme, duke akuzuar për dështim të mbrojtjes së jetës së saj.