Mërgim Lushtaku nuk e përjashton mundësinë e kandidimit për kryetar të PDK-së

17:56 | 07 Nëntor 2026

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të hyjë në garën për kryetar të PDK-së, ndonëse ka thënë se aktualisht është më shumë i prirë të mos kandidojë.

Lushtaku ka bërë të ditur se ka marrë kërkesa nga qytetarë dhe bashkëpartiakë për të kandiduar, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar.

Ai ka thënë se vendimin do ta marrë pas konsultimeve me miq dhe njerëz të afërt, ndërsa ka theksuar se në PDK ka nevojë për reforma dhe ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së kryetarit.

“Kam pasur kërkesa të ndryshme nga qytetarë dhe bashkëpartiakë që t’i hyj garës, por deri tash s’kam ndonjë vendim që t’i hyj garës personalisht. Unë i konsultoj miqtë, shokët, dashamirët. Njeriu, nëse hyn në politikë dhe s’ka ambicie politike, qoftë edhe në pozitën e kryetarit, atëherë nuk është mirë të vazhdojë as në politikë. Është mirë që kemi ambicie nga anëtarët që tashmë kanë deklaruar kandidimin e tyre për kryetar”, tha ai për KosovaPress.

I pyetur nëse babai i tij, Sami Lushtaku, mund të kandidojë për kryetar të PDK-së, deputeti Lushtaku ka thënë se ai ka autoritet publik përtej strukturave partiake, duke përmendur kontributin e tij në themelimin e UÇK-së dhe raportet me udhëheqësit e mëparshëm të partisë.

Ai ka deklaruar se Sami Lushtaku ka qenë mbështetës i Hashim Thaçit dhe i kryetarëve të tjerë të PDK-së, sidomos në proceset zgjedhore, ndërsa ka shtuar se, nëse do të kishte ambicie për ta marrë drejtimin e partisë, do të hynte në garë.

“Personat që kanë një autoritet publik përtej PDK-së, pasi dihet se ai ka qenë ndër themeluesit e UÇK-së bashkë me Adem Jasharin dhe të tjerë. Autoriteti është mbi partiak, sipas mendimit tim, dhe gjithmonë të tjerët kanë pretenduar se ka një ndikim më të madh sesa vetë kryetari. Kjo asnjëherë nuk ka qëndruar. Ka qenë krahu i djathtë i Hashim Thaçit me krenari dhe ka qenë krahu i djathtë i secilit kryetar kur ka pasur nevojë për mbështetje elektorale”, shtoi Lushtaku.

PDK ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake pas dorëheqjes së ish-kryetarit, Bedri Hamza. Aktualisht, PDK-në po e udhëheq si ushtruese e detyrës së kryetares Vlora Çitaku. Teksti i plotë në sistemin me parapagim.

Komento: