Vdekja e argjentinases në Kosovë, Avokati Gashi kërkon të dijë nëse përkthyesja ka jetuar në Zvicër

10:22 | 09 Nëntor 2026

Avokati Tomë Gashi, mbrojtës i Endrit Nikës, të akuzuarit për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, ka kërkuar në seancën e rigjykimit të dijë nëse përkthyesja e caktuar nga Gjykata ka jetuar në Zvicër dhe nëse e njeh dialektin zviceran të gjuhës gjermane, raporton Ekonomia Online.

Gashi është ankuar për përshtatshmërinë e përkthyeses Lumturie Zeka, duke thënë se ajo nuk e njeh dialektin që sipas tij, e përdor i akuzuari.

“A e din të folurit e gjuhës zvicerane të dialektit zviceran. Vërejtjen për përkthyesen e kam se nuk ka jetuar në Zvicër, nuk e di dialektin e gjuhës zvicerane, kjo është vërejtja”, tha Gashi në seancë.

Ndërkaq, përkthyesja Lumturie Zeka, e cila tha se punon në Ministrinë e Drejtësisë që nga viti 2012 dhe përkthen dokumente në gjuhën gjermane ka deklaruar se përkthen gjuhën standarde gjermane që përdoret në Zvicër dhe Austri.

“Përkthej gjuhën zvicerane dhe austriake, që janë gjuhë standarde”, theksoi Zeka.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri, potencoi se gjykata konstaton se nuk ka asnjë pengesë lidhur me përkthyesen Lumturie Zeka, pasi ajo është e licencuar.

Kjo çështje ishte ngritur edhe në seancën e parë të rigjykimit më 1 shtator, kur Gashi kishte kërkuar ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor për shkak të përkthimit.

Ai kishte argumentuar se ndonëse gjuha gjermane e shkruar është e njëjtë në vendet gjermanofolëse, i akuzuari është rritur në Zvicër dhe e kupton dialektin që përdoret atje.

Gjykata atëherë e kishte ndërprerë seancën për të shqyrtuar mundësinë e sigurimit të një përkthyesi që e njeh këtë dialekt.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 shkurt 2026, e kishte dënuar Endrit Nikën me 18 vjet burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, Maria Clara Urdangaray, e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë viktimën, duke e hedhur më pas nga dritarja e katit të gjashtë. Ajo kishte ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra.

Nika i ka mohuar akuzat dhe në rigjykim është deklaruar i pafajshëm.

Komento: