
Akademiku dhe ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka propozuar themelimin urgjent të një komisioni shtetëror të ekspertëve juridikë.
Ai ka treguar se ky komision do të angazhohej në analizimin e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe do të ofronte ekspertizë plotësuese për ekipet e mbrojtjes në fazën e ankimimit.
Në profilin e tij në Facebook, Bajrami ka treguar për tetë propozime për fazën e Apelit për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas tij, themelimi i urgjent të një komisioni shtetëror të ekspertëve juridikë.
“Masa e parë dhe më urgjente që duhet të ndërmarrë Republika e Kosovës është krijimi i një komisioni të posaçëm ekspertësh juridikë, me mandat të qartë, përbërje profesionale dhe afat të kufizuar kohor. Ky komision duhet të përbëhet nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë me përvojë të dëshmuar, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës penale dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare, të cilët kanë kompetencë profesionale për të analizuar në mënyrë kritike aktgjykimin dhe procesin gjyqësor. Komisioni duhet të jetë profesional, pluralist, i pavarur në vlerësimet e tij dhe i çliruar nga ndikimet partiake dhe kalkulimet politike”, ka shkruar ai.
Ai ka treguar se cilit duhet të jetë mandati i këtij komisioni.
“Të bëjë analizën e plotë juridike të aktgjykimit të shkallës së parë. Të identifikojë shkeljet e mundshme të së drejtës materiale dhe procedurale. Të analizojë mënyrën e administrimit, vlerësimit dhe interpretimit të provave. Të shqyrtojë nëse përgjegjësia individuale penale është provuar sipas standardit të kërkuar. Të analizojë bazën juridike të pretendimeve për përgjegjësi komanduese dhe format e tjera të përgjegjësisë penale. Të identifikojë kundërthëniet ndërmjet provave, dëshmive dhe konstatimeve të trupit gjykues. Të shqyrtojë mundësitë procedurale për paraqitjen e provave shtesë dhe dëgjimin e dëshmitarëve të rinj në apel. Të përgatisë një dokument gjithëpërfshirës juridik, i cili mund t’u vihet në dispozicion ekipeve të mbrojtjes si ekspertizë plotësuese për përgatitjen e ankesave”, ka shkruar ai.