
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur sot sa i përket deklaratës së ministrit Nenad Rashiq, i cili në një intervistë për Gazetën Express në 8 nëntor ka thënë se Qeveria e Kosovës pas ndryshimit politik në Serbi, është më e gatshme për themelimin e Asociacionit.
Nagavci ka thënë se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë së Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i ditur tashmë dhe s’ka asnjë ndryshim.
“Qëndrimi i LVV-së dhe i Qeverisë, është ai që ka qenë, është publik, janë edhe deklarimet e kryeministrit Kurti në vazhdimësi dhe ne qëndrojmë në te njejtin diskurs sikur edhe përpara”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka thënë se është shumë herët që të flitet për ndryshimin politik në Serbi meqë nuk dihen ende qëndrimet e një Qeverie që do të bëhet nga Lista e Studentëve.
“Ndryshimet në Serbi pas zgjedhjeve është çështje e brendshme e Serbisë, por në raport me Kosovën dhe diskutimet më tutje është shumë herët të flitet sepse nuk e dimë se cilat janë saktësisht qëndrimet”, ka thënë tutje Nagavci.
Ministri për Kthim dhe Komunitete Nenad Rashiq në një intervistë për Express ka shprehur besimin e tij se fitorja e Listës së Studentëve në Serbi do të bëjë që edhe Qeveria e Kosovës të jetë më e gatshme për Asociacionin
“Shiqo, është një obligim si çdo pikë që është brenda marrëveshjeve dhe nuk mund të zhduket, ato janë në tavolinë dhe vetëm varet prej nesh se kur do të veprojmë në atë drejtim. Konsideroj që Qeveria e Kosovës, ku edhe unë jam pjesë e saj, besoj që është më e gatshme tani, në një moment edhe pothuajse revolucionar apo historik, ku mund ndoshta marrëdheniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijnë një nivel pak më ndryshe. Sipas meje, ky është momenti kur të gjithë ne duhet të japim kontributin dhe të jemi të armatosur me durim, tolerancë dhe bashkëkuptim”, ka deklaruar Rashiq për Gazetën Express.
Ai gjithashtu ka thënë se është mirë që njohja të lihet anash për momentin, dhe të diskutohet tek kur Kosova dhe Serbia janë në prag të hyrjes në Bashkim Evropian.