“Beteja vazhdon”, Erjon Vishkulli jep lajmin pas ndërhyrjes kirurgjikale

20:04 | 11 Nëntor 2026

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka ndarë një përditësim të ri për gjendjen e tij shëndetësore.

Përmes një postimi në Instagram, ai ka publikuar një fotografi nga shtrati i spitalit, duke njoftuar se ndërhyrja kirurgjikale që iu nënshtrua sot ka përfunduar me sukses.

“Ndërhyrja sot kaloi me sukses. Por beteja vazhdon…”, ka shkruar Vishkulli, duke zbuluar se rrugëtimi i tij drejt rikuperimit ende nuk ka përfunduar.

Ai ka bërë të ditur se javën e ardhshme e pret një tjetër operacion, të cilin e konsideron ndoshta më të rëndësishmin deri më tani, pasi lidhet drejtpërdrejt me shikimin e tij.

“Pas gjithë dhimbjeve dhe sfidave që kam kaluar, shpresa ime më e madhe është të rikthej dritën që dua të shoh në jetën time. Nuk e di çfarë më pret, por një gjë e di: nuk do të dorëzohem kurrë!”, është shprehur ai.

Në fund të mesazhit, 28-vjeçari ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë, duke kërkuar forcë nga Zoti për të përballuar sfidat që e presin.

Kujtojmë se Vishkulli u plagos rëndë në syrin e majtë gjatë përplasjeve në protestën e mbajtur në Tiranë, ku dyshohet se u godit nga një plumb gome. Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ai u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.

Komento: