
Kanë kaluar tre muaj që nga vdekja e zyrtarit policor, Altin Kryeziu, i cili humbi jetën pasi u godit nga një veturë gjatë kryerjes së detyrës në Malishevë. Por, për familjen e tij, mungesa vazhdon të jetë po aq e rëndë.
Një nga familjaret e tij, Aulonë Kryeziu, ka ndarë një dedikim prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e vëllait.
“Koha ecën, por zemra ime ka mbetur aty ku të humba. Mungesa jote është një dhimbje që nuk njeh shërim, e malli për ty do të jetojë në çdo rrahje të zemrës sime”, ka shkruar ajo.
Ajo thotë se ende nuk po mund të mësohet me jetën pa të, duke e përshkruar mungesën e tij si një dhimbje që nuk po arrin ta përballojë.
“Jeta është shumë e vështirë pa ty, vëllai jem”, përfundon dedikimin ajo.

Altin Kryeziu, pjesëtar i Stacionit Policor në Malishevë, u godit nga një automjet më 16 gusht, në rrugën “Ibrahim Mazreku”, derisa ishte duke kryer detyrën zyrtare. Ai ndërroi jetë më 23 gusht, si pasojë e plagëve të marra.
Ndërkohë, familjarët e Altinit kanë kërkuar edhe drejtësi dhe transparencë për rastin. Më 13 nëntor, familjari Valon Kryeziu u bëri thirrje Kryeprokurorit të Shtetit dhe mediave që procesi gjyqësor të përcillet nga afër dhe të shqyrtohen të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Altin Kryeziu u varros më 24 gusht në fshatin Bubavec të Malishevës, me nderime shtetërore.