Gjykata në Beograd lëshon fletarrestim për Radoiçiqin

16:58 | 17 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit dhe ka lëshuar fletarrestim për Milan Radoiçiqin, i cili dyshohet për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës, në shtator të vitit 2023.

Vendimi është marrë pasi Radoiçiq nuk u paraqit më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit në Beograd, siç e detyronte masa e sigurisë e vendosur ndaj tij. Që prej tetorit 2023, ai duhej të paraqitej në polici dy herë në muaj, më datat 1 dhe 15.

Radoiçiq, i cili ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, deri më tani kishte respektuar këtë detyrim, ndërsa pasaporta i ishte konfiskuar dhe i ishte ndaluar largimi nga vendbanimi pa lejen e autoriteteve.

Rasti merr një zhvillim të ri në një kohë kur prej disa ditësh qarkullojnë pretendime se ai mund të jetë larguar drejt Rusisë. Më 13 nëntor u publikuan raportime jozyrtare për arratisjen e tij, por këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Radoiçiq është nën hetime nga Prokuroria e Lartë Publike në Serbi për disa vepra penale, përfshirë tregtimin e paligjshëm të armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Ai kërkohet edhe nga policia ndërkombëtare për çështjen e sulmit në Banjskë.

Më 4 tetor 2023, Gjykata në Beograd kishte refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke vendosur në vend të saj masa kufizuese, përfshirë ndalimin e largimit nga vendbanimi pa autorizim dhe konfiskimin e pasaportës.

Ndërkohë, kryeprokurori i Serbisë, Nenad Stefanoviq, deklaroi më 16 nëntor se aktakuza për rastin e Banjskës nuk është ngritur pasi autoritetet serbe nuk kanë marrë provat që i kanë kërkuar nga Kosova përmes EULEX-it.

Prishtina, nga ana tjetër, ka refuzuar më herët kërkesat e Serbisë për informacione lidhur me sulmin, duke argumentuar se institucionet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion për të trajtuar veprat e pretenduara të kryera në territorin e saj.

Sulmi në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, po ndiqet penalisht në Kosovë. Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, ndërsa tre prej të dyshuarve janë dënuar. Radoiçiq dhe persona të tjerë të dyshuar vijojnë të jenë në arrati.

Në kohën e sulmit, Radoiçiq mbante postin e nënkryetarit të Listës Serbe. Ai është gjithashtu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të akuzave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ndërkohë, nga Serbia është larguar edhe Zvonko Vesellinoviq, ish-bashkëpunëtor i Radoiçiqit dhe biznesmen nga veriu i Kosovës. Sipas burimeve të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë, të cituara nga REL, ai udhëtoi më 11 nëntor nga Sarajeva drejt Turqisë, së bashku me vëllain e tij, Zharko Vesellinoviq. Të dy janë gjithashtu nën sanksionet amerikane./ REL

Komento: