‘Pensionohet’ Shkurte Fejza, merr urim të përzemërt nga bashkëshorti në ditëlindjen e 65-të

16:05 | 18 Nëntor 2026
‘pensionohet’-shkurte-fejza,-merr-urim-te-perzemert-nga-bashkeshorti-ne-ditelindjen-e-65-te

Këngëtarja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza, sot feston 65-vjetorin e lindjes, duke shënuar një tjetër moment të veçantë në jetën e saj.

Edhe pse ka arritur moshën e pensionimit, artistja e njohur nuk duket se ka ndërmend të largohet nga muzika, ku për dekada ka ndërtuar një karrierë të suksesshme dhe është bërë një prej zërave më të dashur për publikun shqiptar.

Me rastin e ditëlindjes, një urim tejet emocional dhe romantik për të ka ardhur nga bashkëshorti i saj, Hajrushi, i cili përmes një dedikimi publik ka shprehur dashurinë dhe mirënjohjen për gruan me të cilën ka ndarë një jetë të tërë.

Ai ka kujtuar rrugëtimin e tyre të përbashkët, sakrificat, familjen dhe përkushtimin e Shkurtes ndaj muzikës dhe vendit të saj.

“Bashkë nisëm një rrugëtim që u bë jetë. U rritëm bashkë, ëndërruam bashkë, i përballuam sfidat bashkë dhe ndërtuam një histori që nuk përbëhet vetëm nga dashuria jonë, por edhe nga familja, kënga, sakrificat dhe përkushtimi ndaj vendit tonë”, ka shkruar ai.

Hajrushi ka vlerësuar jo vetëm artisten që njihet dhe admirohet nga publiku, por edhe gruan, bashkëshorten, nënën dhe gjyshen që ka në krah.

Pjesa më emocionuese e urimit ishte premtimi i tij romantik, ku shprehu se do ta zgjidhte Shkurten sërish, pavarësisht se sa herë do t’i jepej mundësia për ta jetuar jetën.

“Nëse do të më jepej edhe një jetë për ta jetuar, përsëri do të të zgjidhja ty!”, ka shkruar ndër të tjera Hajrushi.

Ai e ka përmbyllur dedikimin duke i uruar bashkëshortes shëndet, lumturi dhe shumë vite të tjera pranë fëmijëve, nipërve, mbesave dhe njerëzve të dashur.

“ Të dua sot, si dje, dhe përherë”, përfundon urimi i tij për Shkurte Fejzën.

Postimi i plotë:

GËZUAR DITËLINDJEN, DASHURIA IME! ❤️

Sot është dita jote, Shkurta ime!
Nuk e di nëse fjalët mund ta shprehin plotësisht atë që ndiej për ty, por dua të të them se jam njeriu më mirënjohës që jeta më dha fatin të të kem pranë.
Bashkë nisëm një rrugëtim që u bë jetë. U rritëm bashkë, ëndërruam bashkë, i përballuam sfidat bashkë dhe ndërtuam një histori që nuk përbëhet vetëm nga dashuria jonë, por edhe nga familja, kënga, sakrificat dhe përkushtimi ndaj vendit tonë.
Kam qenë dëshmitar i forcës, talentit, përkushtimit dhe dinjitetit tënd. Kam parë se sa shumë ke dhënë nga vetja për këngën dhe për popullin tënd. Por, përtej artistes që e njeh publiku, unë njoh gruan e jetës sime, bashkëshorten, nënën dhe gjyshen e mrekullueshme.
Faleminderit për dashurinë, për besimin, për çdo ditë të bukur dhe për çdo vështirësi që e kaluam dorë për dore. Faleminderit që edhe pas gjithë këtyre viteve, vazhdon të jesh dashuria, krenaria dhe shoqja ime më e mirë.
Nëse do të më jepej edhe një jetë për ta jetuar, përsëri do të të zgjidhja ty!
Gëzuar ditëlindjen, Shkurta ime! Të paçim edhe shumë vite me shëndet, lumturi e dashuri pranë fëmijëve, nipërve e mbesave dhe të gjithë atyre që të duan.
Të dua sot, si dje, dhe përherë! ❤️

Komento: