Klubi i njohur nga Arabia Saudite po përgatit një ofertë të re për Zhegrovën

23:58 | 18 Nëntor 2026

Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi klubi saudit Al-Ittihad raportohet se ka rinisur interesimin për transferimin e futbollistit të Kosovës.

Skuadra nga Liga Profesionale Saudite e ka përcjellë Zhegrovën që nga fundi i sezonit të kaluar, ndërsa gjatë afatit kalimtar të verës kishte tentuar ta bindte për t’iu bashkuar ekipit, transmeton “Yahoo” një raportim të “JuveFC”, transmeton Klankosova.tv.

Në atë kohë, Zhegrova ishte i gatshëm të transferohej në Arabinë Saudite, por interesimi i Al-Ittihadit u zbeh më pas. Kështu, futbollisti kosovar mbeti në Torino, pavarësisht se Juventusi ishte i gatshëm ta shiste.

Megjithatë, situata e tij te skuadra italiane ka ndryshuar disi, pasi në muajt e fundit ka treguar paraqitje inkurajuese, veçanërisht kur është aktivizuar nga banka rezervë.

Zhegrova ka dëshmuar se mund të ndikojë në rrjedhën e ndeshjeve kur inkuadrohet gjatë lojës, por paraqitjet e tij nuk kanë qenë po aq bindëse kur ka nisur takimet nga minuta e parë.

Juventusi kërkon futbollistë ofensivë që mund të ofrojnë vazhdimësi dhe ndikim që nga fillimi i ndeshjeve. Deri më tani, Zhegrova nuk ka arritur të dëshmojë se mund ta bëjë këtë në mënyrë të rregullt, çka mund të jetë një nga arsyet pse klubi nuk e përjashton largimin e tij.

Sipas mediumit italian “Tuttojuve”, Al-Ittihad ka rikthyer interesimin për reprezentuesin e Kosovës dhe është serioz për ta realizuar transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit.

Ky zhvillim shihet si lajm i mirë për Juventusin, i cili synon ta shesë Zhegrovën dhe paratë e përfituara nga transferimi t’i përdorë për përforcimin e repartit ofensiv.

Largimi i tij do t’i krijonte gjithashtu hapësirë skuadrës italiane për të sjellë një tjetër futbollist.

Në anën tjetër, për futbollistin kosovar, interesimi i klubit saudit mund të përfaqësojë një mundësi të re për të rifilluar karrierën, pasi nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt në formacionin bazë të Juventusit.

Komento: