Dita e dytë në Kosovë, Jakup Krasniqi përcillet sërish nga EULEX-i drejt familjes

09:23 | 19 Nëntor 2026

Gjendja e rënduar shëndetësore e bashkëshortes ka bërë që Jakup Krasniqi të vijë në Kosovë për një vizitë humanitare, të autorizuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Jakup Krasniqi është nisur edhe sot nga selia e EULEX-it në Fushë Kosovë drejt shtëpisë së tij në Prishtinë, ku do të qëndrojë pranë familjes.

Sipas pamjeve të publikuara, Krasniqi është përcjellë sërish nën masa të shtuara sigurie drejt shtëpisë së tij.

Krasniqi sipas raportimeve të mediave, do të qëndrojë katër ditë në Kosovë, ku do të ketë mundësi të kalojë kohë pranë familjes së tij.

Gjatë kësaj periudhe, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës do të qëndrojë gjatë ditës në shtëpinë e tij në Prishtinë, ndërsa gjatë natës do të bartet në objektet e EULEX-it, ku do ta kalojë natën.

Ai arriti në Kosovë dje, nën përcjelljen e forcave të shumta policore, për të vizituar bashkëshorten e tij, gjendja shëndetësore e së cilës raportohet të jetë e rënduar.

Nga Dhomat e Specializuara, e konfirmuan se vizita është lejuar për arsye të forta humanitare.

“Për momentin, e vetmja gjë që mund të them është se kjo erdhi si pasojë e arsyeve të forta humanitare. Pala e akuzuar mund të paraqesë një kërkesë të tillë, siç e dini, dhe më pas gjyqtarët, duke u mbështetur në rregullat e gjykatës si dhe në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, marrin një vendim me urgjencë dhe profesionalizëm”, kishte deklaruar zëdhënësi i DHS-së, Michael Doyle.

I pyetur për kohëzgjatjen e qëndrimit të Krasniqit në Kosovë, Doyle kishte thënë se detajet operative mund të bëhen publike më vonë, pasi të përfundojnë vizitat.

Kjo është hera e dytë që Krasniqi vjen në Kosovë nga mbajtja në Hagë. Vizita e tij e fundit ishte në tetor të vitit 2024.

Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale, në aktgjykimin e shpallur më 16 shtator të këtij viti.

Komento: