
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në disa fusha me interes të përbashkët.
Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, drejtësisë, shëndetësisë, arsimit dhe shkencës, si dhe për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe investimeve.
Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar Kroacinë si një vend mik dhe mbështetëse të fuqishme të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për përkrahjen e saj që nga vitet e luftës, njohja e pavarësisë dhe proceset e konsolidimit të shtetit.
Ajo ka kujtuar gjithashtu kontributin e shqiptarëve në luftën për lirinë e Kroacisë, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme miqësie dhe afërsie ndërmjet dy popujve dhe shteteve.
Presidentja ka vlerësuar edhe angazhimin e ambasadores Barišić në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Në fund, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë që marrëdhëniet e afërta politike dhe diplomatike të konkretizohen përmes projekteve në interes të qytetarëve të të dy vendeve.