E dhimbshme: Një vit pa Shpat Kasapin, familja dhe miqtë bëhen bashkë për ta përkujtuar në këtë vend

23:55 | 24 Nëntor 2026
e-dhimbshme:-nje-vit-pa-shpat-kasapin,-familja-dhe-miqte-behen-bashke-per-ta-perkujtuar-ne-kete-vend

Më 29 nëntor 2025, muzika shqiptare humbi një nga zërat e saj më të dashur, këngëtarin Shpat Kasapi.

Ndarja e tij e parakohshme nga jeta la pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e vlerësuan për muzikën dhe personalitetin e tij.

Me rastin e njëvjetorit të humbjes së këngëtarit, Blero Muharremi ka ndarë në Instastory njoftimin e familjes Kasapi për organizimin e një mbrëmjeje përkujtimore në nder të tij.

Në fotografinë bardhezi, Shpati shfaqet i buzëqeshur, ndërsa krahas saj familja ka bërë të ditur se aktiviteti do të mbahet të dielën, më 29 nëntor, nga ora 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë.

“Një vit pa Shpatin. Ju njoftojmë se të dielën, më 29 nëntor, në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, e përkujtojmë Shpatin dhe veprën e tij artistike”, thuhet në njoftimin e familjes Kasapi.

Blero e ka shoqëruar publikimin me dy emoji, duart e bashkuara në shenjë lutjeje dhe një zemër të thyer, duke shprehur kështu dhimbjen për humbjen e kolegut të tij.

Mbrëmja përkujtimore në qytetin e lindjes së këngëtarit pritet të mbledhë familjarë, miq, kolegë dhe artdashës, të cilët do të kujtojnë jetën dhe kontributin e tij në muzikën shqiptare.

Edhe pse një vit pas ndarjes së tij nga jeta, Shpat Kasapi vazhdon të kujtohet përmes këngëve dhe veprës artistike që la pas.

Komento: