
Një vit pas ndarjes tragjike nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, familja e tij ka vendosur ta përkujtojë përmes një mbrëmjeje të veçantë, kushtuar jetës dhe kontributit të tij në muzikën shqiptare.
Familja Kasapi ka njoftuar se aktiviteti përkujtimor do të mbahet të dielën, më 29 nëntor, në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Në këtë mbrëmje janë të ftuar miq, të afërm, kolegë dhe të gjithë ata që e kanë njohur, dashur dhe vlerësuar artistin.
Krahas njoftimit për organizimin, bashkëshortja e tij, Selvije, ka ndarë edhe një dedikim emocionues, ku ka shprehur mallin për të dhe dhimbjen që mungesa e tij vazhdon të lërë në familje.
Ajo është ndalur veçanërisht te djali i tyre, Roeli, i cili po rritet pa praninë e të atit.
“Roeli po rritet, po zbulon botën, po mëson gjëra të reja… dhe në çdo hap të tij do të doja të ishe aty për ta parë. Do të doja të dëgjoje zërin e tij, të qeshje me të dhe të përjetoje çdo moment që koha nuk na la ta jetonim së bashku”, shkruan Selvije.
Ajo shprehet se do të kujdeset që i biri të mos e harrojë të atin, duke i treguar vazhdimisht për të, për muzikën, buzëqeshjen dhe dashurinë që kishte për të.
“Unë do të jem gjithmonë aty për t’i treguar për ty, për muzikën tënde, për buzëqeshjen tënde dhe për dashurinë që kishe për të”, shton ajo.
Në fund të mesazhit, Selvije ka ftuar të gjithë ata që e kanë dashur këngëtarin të bëhen pjesë e mbrëmjes përkujtimore të 29 nëntorit, ku do të nderohen jeta dhe vepra e tij artistike.
Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, në moshën 40-vjeçare, pas një arresti kardiak, ndërsa ndodhej në Itali. Ai la pas bashkëshorten dhe djalin e tyre, Roelin, si dhe një repertor këngësh që vijojnë të dëgjohen nga publiku shqiptar.
