Kurti e përsërit: Qytetarët po e lëshojnë Kosovën për shkak të cilësisë së arsimit dhe padrejtësive në drejtësi

17:16 | 26 Nëntor 2026

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar sërish komunat për cilësinë e arsimit në Kosovë, duke e cilësuar decentralizimin e tij si një nga problemet kryesore që po ndikon edhe në migrimin e qytetarëve.

Kurti ka thënë se cilësia e dobët e arsimit në disa zona rurale po i shtyn familjet të zhvendosen drejt qyteteve më të mëdha, veçanërisht Prishtinës dhe Fushë Kosovës, ndërsa sipas tij, kjo ndikon edhe në largimin e qytetarëve jashtë vendit.

Ai ka vlerësuar se decentralizimi i skajshëm i arsimit në nivel komunal, në disa raste i shoqëruar me mungesë të mirëqeverisjes, ka ndikuar negativisht në cilësinë e mësimdhënies.

“Problemi themelor që e kemi me arsimin është decentralizimi i tij. Ky decentralizim i skajshëm nëpër komuna, ku shpeshherë nuk ka mirëqeverisje, ka bërë që të ketë dyndje edhe të brendshme edhe të jashtme, por ardhje edhe drejt Prishtinës dhe Fushë Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Si shembull, ai ka përmendur rritjen e popullsisë në Fushë Kosovë, duke thënë se kjo komunë tashmë është më e madhe se Peja dhe Gjakova.

Sipas Kurtit, familjet që kanë arritur një nivel më të mirë ekonomik po kërkojnë kushte më cilësore të arsimit për fëmijët e tyre, duke mos dashur që ata të mbeten në sistemin arsimor që, sipas tij, vuan nga mungesa e cilësisë në disa zona rurale.

Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe sistemin e drejtësisë si një tjetër arsye që ndikon në largimin e qytetarëve nga Kosova.

Ai ka thënë se në këtë sistem ka shumë padrejtësi, ndërsa ka kritikuar edhe Prokurorinë, për të cilën ka deklaruar se ende nuk i afrohet standardeve të Bashkimit Evropian.

“Jam i bindur që njerëzit nuk e lëshojnë Kosovën për shkak të vendit të punës, nuk e lëshojnë Kosovën për shkak se nuk ka siguri apo mbrojtje, por për shkak të cilësisë së arsimit në zonat rurale së pari, meqenëse është i decentralizuar. Dhe në anën tjetër për shkak të sistemit të drejtësisë ku ka aq shumë padrejtësi dhe përgjithësisht ende kemi prokurori, e cila s’është as për së afërmi standardeve të BE-së ku ne synojmë të anëtarësohemi”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar gjithashtu nevojën për kthimin e brezit të dytë dhe të tretë të bashkatdhetarëve, të cilët përmes ekspertizës së fituar në vendet perëndimore mund të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës.

Komento: