
Pas largimit nga shtëpia e “Big Brother VIP Kosova 5”, Jona Krasniqi ka nisur të ndajë me ndjekësit disa nga zhvillimet që kanë ndodhur jashtë shtëpisë gjatë kohës sa ajo ishte pjesë e këtij formati.
Përmes disa postimeve në InstaStory, ish-banorja ka falënderuar familjarët për përkrahjen e vazhdueshme, ndërsa ka zbuluar edhe një situatë interesante ku në qendër të saj është këngëtari Labinot Rexha.
Jona ka treguar se kushërinjtë e saj, të cilët kishin vendosur fotografinë e saj në “Rinora 4”, për pak sa nuk janë përfshirë në një përplasje fizike me këngëtarin.
“Edhe djemtë e axhës që ma kishin qit foton n’Rinora 4, edhe për pak janë kanë tu u rreh me Labinot Rexhën për mu”, ka shkruar ajo, duke e shoqëruar postimin me të qeshura.
Ndërkohë, kujtojmë se gjatë qëndrimit të Jonës në shtëpinë e BBVK-së, Labinot Rexha kishte bërë pretendime publike se ishte bullizuar nga ajo gjatë vitit të kaluar.
Deri më tani, Jona nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me incidentin e përmendur, duke lënë të paqarta rrethanat e kësaj përplasjeje të pretenduar.
Në fund, ish-banorja ka shprehur edhe një herë mirënjohjen për familjen dhe njerëzit e saj të afërt, duke theksuar se mbështetja e tyre përbën fitoren më të madhe për të.
