Reshjet e borës mbulojnë Kosovën, në ditët në vijim priten temperatura deri në -22°C

10:44 | 29 Nëntor 2026

Reshjet e borës kanë mbuluar pjesë të Kosovës këtë të diel, ndërsa parashikimet meteorologjike paralajmërojnë një rënie të ndjeshme të temperaturave me fillimin e dhjetorit.

Në ditët në vijim, reshjet e borës pritet të zëvendësohen nga moti kryesisht i kthjellët, por me temperatura që mund të zbresin deri në 22 gradë nën zero në Prishtinë.

Pavarësisht intervaleve me diell, temperaturat në kryeqytet pritet të mbeten nën zero edhe gjatë orëve më të ngrohta të ditës.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë së dielës do të mbajë mot kryesisht i vranët, i shoqëruar me reshje bore.

Temperaturat minimale parashikohet të lëvizin ndërmjet -5 dhe -3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale ndërmjet 1 dhe 3 gradëve Celsius.

Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.

Pas borës, vjen acari

Ditët më të ftohta, megjithatë, ende nuk kanë ardhur.

Sipas parashikimit të publikuar nga BBC Weather, bazuar në të dhënat e shërbimit meteorologjik britanik Met Office, kryeqytetin e Kosovës e pret një fillimdhjetor i acartë.

Që të hënën, më 30 nëntor, temperaturat minimale parashikohet të zbresin deri në -15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë -3 gradë.

E marta, më 1 dhjetor, pritet të jetë dita më e ftohtë e javës, me temperatura minimale që mund të arrijnë deri në -22 gradë Celsius.

Përkundër motit me diell, temperatura maksimale gjatë kësaj dite parashikohet të jetë vetëm -4 gradë Celsius.

Acari pritet të vazhdojë edhe të mërkurën, kur temperaturat minimale mund të zbresin deri në -18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet deri në -2 gradë.

As e enjtja nuk pritet të sjellë ndonjë lehtësim të ndjeshëm gjatë natës, me temperatura minimale deri në -16 gradë Celsius.

Një zbutje graduale e të ftohtit parashikohet nga e premtja, ndonëse temperaturat minimale do të vazhdojnë të mbeten nën zero.

Shtresa e borës dhe temperaturat e ulëta mund të favorizojnë krijimin e ngricave, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve.

Brenda dy ditësh temperatura minimale në Prishtinë do të pësojë një rënie prej 14 gradësh Celsius.

Komento: