Gjykata Themelore në Pejë u përfshi nga zjarri, u djegën edhe lëndët gjyqësore

12:14 | 25 Qershor 2019

Gjatë ditës së djeshme, Gjykata Themelore e Pejës u përfshi nga flaka.

Gjatë këtij zjarri, sipas asaj që ka informuar Gjykata Themelore e Pejës janë dëmtuar kompjuterë, printer si dhe tavolina dhe karrige.

Gjykata Themelore gjithashtu është shprehur se zjarri ka prekur edhe disa lëndë të cilat anë qenë Kërkesa për Shlyerje të Dënimeve, por regjistri i lëndëve bazike nuk është dëmtuar.

Zjarri thuhet se është shkaktuar aksidentalisht dhe është bërë hetim nga ana e zjarrfikësve dhe policisë.

Lexoni komunikaten e plotë:

Ju informojmë se mbrëmë, rreth orës 23:15, zjarri ka kapluar një pjesë të përdheses së objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, më saktësisht Zyrën e Shkrimores Civile.

Ekipi i zjarrfikësve dhe policia kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes me çka është lokalizuar zjarri, janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe zjarri është shuar.

Si pasojë e zjarrit ka pas dëme materiale në pajisje teknike përfshirë kompjuterë, printer si dhe tavolina dhe karrige. Lëndët që kanë qenë nëpër dollapë nuk janë dëmtuar.

Të vetmet lëndë që zjarri i ka prekë kanë qenë disa lëndë me Kërkesa për Shlyerje të Dënimeve si dhe Regjistri i këtyre lëndëve por lëndët bazike të këtyre kërkesave nuk janë dëmtuar pasi që të njëjtat gjenden në arkivin e gjykatës.

Shkaku i zjarrit është aksidental për të cilën është bërë edhe hetimi nga ana e zjarrfikësve dhe policisë të cilët do të dalin me raportin e tyre përfundimtar lidhur me këtë rast.

I sigurojmë qytetarët të cilët kanë procedura të hapura civile në Gjykatën tonë se lëndët e tyre nuk janë përfshirë nga zjarri dhe nuk janë të dëmtuara andaj, edhe proceset gjyqësore do të vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të rregullt.

Fatmirësisht, dëmet e shkaktuara janë të natyrës materiale dhe jo shumë të mëdha. Gjykata nuk do të jetë në shërbim të qytetarëve për disa orë në ditën e sotme deri në pastrimin e saj por që kërkesat urgjente do të pranohen. Gjykata do të vazhdojë punën e saj normale pas pastrimit të Gjykatës. Për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve.

Komento: