Enver Hoxhaj reagon pas vendimit të Kushtetueses, kërkon unitet për finalen me Serbinë

17:28 | 27 Qershor 2019

Zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, i cili ishte pjesë e ekipit nga radhët e PDK-së, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shpallur si antikusthetues Delegacionin Shtetëror për dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se e respektojnë një vendim të tillë të Kushtetueses, duke theksuar se partia e tij gjithmonë ka besuar se Kosova ka institucione legjitime për ta udhëhequr dialogun.

Ndër të tjera Hoxhaj ka thënë se konsensusi i brendshëm është i nevojshëm për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë që do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë dhe fitimin e një ulëse në OKB.

“Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë. Nga fillimi, PDK ka besuar se Kosova ka institucionet legjitime për ta udhëhequr procesin e dialogut duke respektuar Kushtetutën e vendit. Ne vazhdojmë të besojmë, se megjithatë, konsensusi politik është i nevojshëm për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë që do të përfundonte me njohje të ndërsjellët dhe ulëse në OKB”, ka thënë Hoxhaj.

Vendimin e Kushtetueses e kanë respektuar edhe PSD-ja, të cilët sot kanë deklaruar se të gjithë anëtarët e kësaj partie që janë pjesë e delegacionit pushojnë së ushtruari detyrat e tyre.

PSD-ja ka fajësuar LDK-në dhe VV-në që kanë bërë të mundur që dialogu të kthehet përsëri në duart e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.

Komento: