Matthew Palmer ka dal kërkuar sërish qe Kosova dhe Serbia t’i kthehen tavolinës së bisedimeve.
Beogradi e Prishtina duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve para zgjedhjeve në Serbi, të paralajmëruara për pranverën e vitit të ardhshëm, ka thënë zëvendësi i ndihmësit të sekretarit të shtetit të ShBA-së, Matthew Palmer.
“Zgjedhjet në Serbi janë sigurisht në pranverën e ardhshme dhe është me rëndësi që bisedimet të vazhdojnë më parë, pasi që cikli zgjedhor i vështirëson ato”, ka thënë Palmer për programin e BBC-së në gjuhën serbe.
Ai ka thënë se Kosova duhet t’i heqë taksat e vëna në mallin serb e të BH-së dhe të vazhdojë dialogu.
Palmer ka thënë se formati i bisedimeve sigurisht se nuk do të ndryshojë dhe se Uashingtoni në asnjë mënyrë nuk ka ndikuar në shtyrjen e takimit në Paris, duke thënë se “Amerika e mbështet këtë proces, ne nuk jemi pjesë e bisedimeve, por e mbështesim dialogun të cilit i prin BE-ja që nga fillimi”.
Zyrtari i Departamentit të Shtetit mendon se as zgjedhjet presidenciale në ShBA vitin e ardhshëm nuk do të ndikojnë shumë në tempin e bisedimeve për Kosovën.
“Nuk pres që zgjedhjet në Amerikë do të ndikojnë në mbështetjen për normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës – kjo është konstantë gjatë më shumë administratave në Uashington”, ka thënë ai.
Palmer ka mohuar shkrimet e gazetave se Philip Reeker mund të përfshihet në dialog.