Ky është mbrojtësi i vetëm i Isa Mustafës në LDK

16:38 | 29 Qershor 2019

Duket se Gecaj është mbrojtësi i vetëm i Mustafës në LDK.

Bajram Gecaj i ka dalë në mbrojtje shefit të partisë së tij, Isa Mustafës, në debatin që është përfshirë për vezë të vogla e të mëdha me Muharrem Nitajn e AAK-së.

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa e ka akuzuar Muharrem Nitaj se e ka lëshuar nivelin kur ka diskutuar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese me metaforën e vezëve të mëdha e të vogla.

Shefi i LDK’së ka thënë se s’është shkelës i Kushtetutës ani pse Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar nga pozita e Kryetarit të Parlamentit për shkak se ishte zgjedhur duke u shkelur akti më i lartë juridik i Shtetit.

“Eshtë e turpshme kur një deputet i Kuvendit të Kosovës e krahason një vendim të Gjykatës Kushtetuese me vezët e vogla dhe të mëdha. Në këtë nivel ka rënë deputeti ynë dhe në këtë nivel ka katandisur përgjegjësia dhe ndërgjegja jonë shtetërore”, ka shkruar Mustafa, në një reagim në Fb pasi Muharrem Nitaj akuzoi Kryetarin e LDK’së si shkelësin më të madh të Kushtetutës.

“Prandaj, Gjykata kushtetuese nuk mbaron vezë, në logjikën e deputetit tonë, por sjell vendime. Dhe shkelësit, përfshirë edhe deputetët që kanë votuar Ligj në kundërshtm me Kushtetutën duhet ta ndien veten përgjegjës. Ndryshe, tallen me vetëveten, tallen me shtetin e Kosovës që e kanë mbërthyer deri në fyt me krim dhe korrupsion”, ka shkruar Kryetari i LDK’së.

Nënkryetari i AAK’së, Muharrem Nitaj ia ka kujtuar Isa Mustafës edhe një shkelje tjetër të Kushtetutës që i kishte bërë Shefi i LDK’së kur kishte nënshkruar Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën e kishte rrëzuar Gjykata Kushtetuese.

Madje, Nitaj ka thënë se logjika e Isa Mustafës është sikur e fshatarëve që diskutojnë se pula e kujt po bën ve më të mëdha.

“Pula e kojshisë gjithmonë venë e bën më të madhe”, ka thënë Nitaj, në një përgjigje me shkrim për Express.

“Isa Mustafa, që po shqetësohet kaq shumë per Kushtetutën, paska harruar që ai vetë e ka paseë shkeleë Kushtetuteën dhe ateë rëndë. Ju kujtohet marrëveshja e nënshkruar në Bruksel për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që është konstatuar që shënon 23 shkelje të Kushtetutës, dhe asaj marrëveshje hala jemi tu ia pa sherrin”, ka thënë Nitaj.

Sidoqoftë, Isa Mustafa në reagimin e dytë, pasi atij të parit ku kërkoi shkarkim të Qeverisë e Parlamentit për shkak se shkelën Kushtetutën, ka thënë se kur ishte zgjedhur kryeparlamentar s’ishte konsideruar ai shkelës i Kushtetutës.

Në këtë debat është përfshi edhe zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj. Muharrem Nitajn e AAK-së e ka quajtur të paditur, hipokrit, manipulant etj.

“Muharrem Nitaj ose është krejtësisht i paditur dhe në profesion tërësisht të gabuar ose është vërtetë një hipokrit e manipulant i paskrupullt politik (apo besa edhe të dyja së bashku)! Krahasimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të para dy ditëve, të shkeljeve të qarta dhe shumë serioze kushtetuese, me vendimin e vitit 2015 është një fiksion dhe fabrikim krejtësisht jashtë botës reale. Para dy ditësh, Gjykata Kushtetuese nxori vendim i cili i bën SHKELËS kushtetues Qeverinë, Presidentin, të ashtuquajturin Grupin Negociator, si dhe të 61 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët votuan ligjin kundër-kushtetues. Më e pakta që duhet të bëj kjo qeveri, ky president, këta “negociatorë” dhe deputetët e papërgjegjshëm është dorëheqja morale dhe vetëshkarkimi i kësaj qeveria fatale për vendin dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Përndryshe, institucionet relevante duhet të fillojnë procedurat e shkarkimit, votëbesimit, si dhe të atyre penale, kundër këtyre shkelësve dhe harxhuesve të paligjshëm të parasë publike”, ka shkruar Gecaj në Facebook.

“Sa për sqarim të opinionit, më poshtë kam nxjerr dy paragrafë nga dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilët provojnë qartazi injorancën ose hipokrizinë e Muharrem Nitajt:

Në vendim e saj “KO130/15” të datës 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë -Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore, nuk janë tërësisht NË PËRPUTHSHMËRI ME FRYMËN e Kushtetutës …”! Ndërsa, me vendimin “KO54/19” të datës 27 qershor 2019, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se: “Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën, rrjedhimisht Gjykata shpall të njëjtin, NË TËRËSINË E TIJ, të papajtueshëm me Kushtetutën.””, përfundon Gecaj.

Komento: