Pasi vizitoi Grabovcin, Thaҫi del për shetitje me Abelard Tahirin

14:34 | 30 Qershor 2019

Thaҫi ka vendosur që këtë të diel ta kalojë duke bërë një shetitje.

Ish-Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, s’po mund të ndahet nga njerëzit e ish-partisë së tij.

Pasi shkoi në konakun e Adem Grabovcit, të përjashtuar nga PDK’ja, Presidenti ka dalë pak edhe me Abelard Tahirin, i cili është zyrtar i PDK’së dhe Ministër i Drejtësisë dikur asistent i Thaçit në Qeveri.

Abelard Tahiri ia pati pa sherrin një vizite në Ujman me Hashim Thaçin në fund të shtatorit të vitit të kaluar.

Pas kësaj vizite kishte ofruar dorëheqjen në PDK, por, që Kadri Veseli s’ia kishte pranuar.

Megjithëse përplasja e Veselit me Ablard Tahirin s’ka dalë e tëra asnjëherë në publik.

Tash, përsëri Ministri i Drejtësisë po vazhdon të shoqërohet me ish-Shefin e tij, Hashim Thaçin, i cili një ditë më parë ishte në konakun e Adem Grabovcit, i cili është përjashtuar nga organet e PDK’së.

Një familjar i Adem Grabovcit e ka publikuar një foto në Fb bashkë me Thaçin e Abelard Tahirin, të cilët kishin dalë të shëtisnin në rajonin e Dukagjinit.

Përpos Grabovit nga Partia janë përjashtuar edhe disa prej figurave tjera si Zenun Pajaziti, Xhemajl Mustafa, Sokol Bashota, Agim Çeku etj. Madje, Besim Beqaj u shkarkua edhe nga pozita e Ministrit të Inovacionit.

Më së ashpëri ndaj këtij vendimi ka reaguar Sami Lushtaku, i cili nuk e ka pranuar një vendim të tillë të Kadri Veselit. Ka thënë se s’ka birë nane që e largon nga PDK’ja. Madje, ka lëshuar akuza se 4-5 persona të PDK’së kontrollojnë gjithçka në Kosovë përfshirë drejtësinë ndërsa ka kërkuar largimin e tyre.

Adem Grabovci humbi fillimisht pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar. Pastaj u shkarkua edhe nga pozita e Nënkryetarit. Nuk e lejuan të kandidonte as për deputet. Tash, e larguan edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i PDK’së.

Të shtunën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkoi në shtëpinë e Adem Grabovcit, i përjashtuar nga organet udhëheqëse të PDK’së.

Madje, disa ditë pasi Grabovci u përjashtua, ish-Kryetari i PDK’së nderoi me medalje një familjar të Grabovcit i vrarë në luftë.

Në gjithë këtë situarë, Kadri Veseli po vazhdon të mos e thotë asnjë fjalë. Disa prej të larguarve kanë kërcënuar Veselin se do t’i bëjnë publike të gjitha krimet që kanë ndodhur nga zyrtarët e PDK’së e që po vazhdojnë të mos dalin në publik.

Anëtarja e Kryesisë së PDK’së, Dhurata Hoxha, i ka dhënë përkrahje Kadri Veselit, i cili vendosi t’i largojë nga partia e qeveria njerëzit me aktakuza.

Komento: