Kosova ka mbetur prapa me zbatimin e MSA-së

19:54 | 30 Qershor 2019

Kosova ka mbetur prapa në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), duke përmbushur vetëm pesë nga 22 prioritetet e Agjendës Evropiane, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas tyre, janë shumë masa, të cilat është dashur tashmë të zbatohen, por që vazhdojnë të jenë në proces.

MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016. Përmes kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Evropian kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij qeverisës dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e BE-së.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka arritur t’i bëjë reformat në shumicën e fushave që kërkohen me këtë marrëveshje.

MSA-ja e obligon Kosovën që të bëjë reforma në sektorin e sundimit të ligjit siç është pavarësia e Gjyqësorit dhe luftimi i korrupsionit, reforma në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe në shumë fusha të tjera.

Performanca e Kosovës në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar si kapitulli më i rëndësishëm i MSA-së, thekson Shasha, që nga momentit kur është vendosur ky kriter, ka dëshmuar se nuk është përmbushur, pasi që deri më tani asnjë rast, sipas tij, nuk është përfunduar me vendim të prerë në gjykatë.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në proces të përmbushjes së obligimeve dhe detyrave që dalin nga marrëveshja e vetme kontraktuale me BE-në

Komento: