Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku temë diskutimi ishte situata aktuale e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka folur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ku ndër të tjera ka thënë se qytetarët e Luginës po përjetojnë terror në fushën e sistemit arsimor.
Nuk duhet lejuar që Serbia të bëj terror në sistemin arsimor, sepse përmes kësaj është duke ndodhur spastrimi etnik në heshtje, pra rreth kësaj na takon ne dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë që mos të lejojnë një spastrim i tillë, ka thënë Bytyqi.
Ministri Bytyqi tha se, ajo çka ne duhet të fokusohemi, është që të kemi veprime të dyanshme, veprime brenda territorit të Kosovës dhe veprime direkt në Luginë. Si veprim brenda nesh është edhe çështja e kuotave për studentët e Luginës dhe ne si MAShT jemi duke shikuar që të ndajmë kuota aq sa do të ketë nevojë, por që aktualisht kemi ndarë një kuotë prej 2%.
Gjithashtu, në takimin që kisha me Këshillin Kombëtar Shqiptar jemi dakorduar për shumë veprime të përbashkëta, e ndër to janë; futja e mësimdhënësve të Luginës në programet e trajnimeve që organizojmë ne dhe gjithashtu edhe përfshirja e nxënësve në aktivitete që ne organizojmë bashkë edhe me Shqipërinë, theksoi ministri Bytyqi.
Ministri Bytyqi, si gjë të rëndësishme theksoi edhe faktin e hidhur, që pavarësisht që ne përgatisim studentë, p.sh në fushën e mjekësisë, ai nuk mund tu shërbej qytetarëve atje, për faktin se nuk u njihen diplomat e fituara në Kosovë dhe për këtë ne duhet të kemi veprime urgjente.
Ne mundemi si institucion individualisht ta përkrahim Luginën, por që përkrahja të jetë e fuqishme dhe e vazhdueshme ajo duhet të jetë përkrahje shtetërore. Pra edhe një rezolutë ku do të përcaktoheshin veprimet shtetërore do të ndihmonte që sado pak të parandalonim këtë rrezik të madhe të spastrimit të heshtur që po ndodh në Luginë, fatkeqësisht, theksoi në fund të fjalës së tij ministri Bytyqi.