Ambasadori amerikan bën thirrje që t’i jepet fund monopolit të homologimit të veturave

16:10 | 02 Korrik 2019

Kosnett u bën thirrje institucioneve që t’i japin fund shpejt monopolit të homologimit të veturave.

Kundër monopolit në fushën e homologimit ka dalë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se ndan të njëjtat shqetësime sikurse BE-ja dhe Autoriteti i Konkurrencës rreth monopolit në fushën e homologimit dhe kontrollimit teknik.

Ai ka thënë se Qeveria Haradinaj duhet të veprojë shpejt, duke respektuar rezolutën e votuar dje në Kuvend, për t’i hapur rrugë një procesi të drejtë dhe një konkurrence fer.

“Unë i ndaj shqetësimet me Bashkimin Evropian, Kuvendin e Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës për kontratën e monopolit për inspektimin e veturave. Një gjë e tillë e shtrembëron tregun dhe i rrit çmimet për konsumatorët. Qeveria do të duhej të veprojë shpejt lidhur me rezolutën jo-obliguese të Kuvendit dhe ta hapë këtë proces për konkurrencë të lirë dhe të drejtë”, ka shkruar Kosnett.

Se Haradinaj dhe Pal Lekaj duhet të veprojnë për të ndalur monopolin në homologim e ka thënë edhe Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ajo ka thënë se duhet shfuqizuar Udhëzimin Administrativ 02/2018, që e vazhdon edhe më tej monopolin në homologim

Komento: