KE merr vendim rreth kërkesës për anulimin e vizave për Shqipërinë

11:47 | 03 Korrik 2019

KE refuzon kërkesën e Holandës për anulimin e vizave për Shqipërinë.

Komisionin Evropian refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze për të rivendosur regjimin e vizave me Shqipërinë.

Një zëdhënës i Komisionit, tha se Shqipëria vijon të plotësojë kushtet për përfitimin e liberalizimit të vizave.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni vlerëson se në situatën e tanishme nuk janë rrethanat për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave”, tha ai.

Komisioni, shtoi zëdhënësi, do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Holanda ia dorëzoi zyrtarisht Komisionit Evropian kërkesën më 31 maj, pasi më herët parlamenti i këtij vendi kishte miratuar një rezolutë që bënte thirrje për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Kërkesa e Holandës u bë me qëllim për të penguar lëvizjen e lirë të personave të dyshuar për veprimtari kriminale dhe në trafikun e drogës. Më herët, Komisioni Evropian, gjatë prezantimit të progres raportit për Shqipërinë vlerësoi se vendi vijon t’i plotësojë kushtet për të përfituar regjimin e qarkullimit pa viza në zonën Shengen.

Nëse Komisioni do të pranonte kërkesën e Holandës për aktivizimin e mekanizmit, liberalizimi i vizave për Shqipërinë do të pezullohej për një periudhë nëntë mujore./oranews

Komento: