Emërimi i Borrellit në vend të Mogherinit, ekspertët e quajnë lajm të keq për Kosovën

19:18 | 03 Korrik 2019

Josep Borrell është emëruar pasëardhës i Federica Mogherinit si përfaqësues i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Këtë ekspertët po e quajnë si jo përparësi për Kosovën.

Përfaqësuesi i emëruar i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, vjen nga Spanja, një nga vendet më të fuqishme të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Fakti që Borrell vjen nga një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, po shihet si lajm i keq për procesin e dialogut.

Njohësit e çështjeve politike në vend, vlerësojnë se të gjitha emërimet dhe ndryshimet e fundit që janë bërë në Bashkimin Evripian janë shumë kontroverse dhe me njerëz që nuk kanë të kaluar të mirë, pra disa prej tyre kanë qenë të përfshirë në korrupsion nga vendet që vijnë, këtu përfshirë edhe Borrellin.

Shkodran Ramadani, njohës i çështjeve politike, ka thënë për lajmi.net, se, Josep Borrel, është një ministër që njihet për deklarata kontroverse në Spanjë dhe ka gjithashtu afera të ndryshme korruptive.

Sipas tij, emërimi i njerëzve të tillë në institucionet dhe postet kyçe të Bashkimit Evropian, do ta vështirësojnë funksionimin e BE-së.

“Dhe Josep Borrell , si ministër i Jashtëm spanjoll i cili tani dominuar për të udhëhequr departamentin për politika të jashtëm dhe siguri si pasardhës i Federica Mogherinit. Ky ministër është një ministër që njihet për deklarata kontroverse në Spanjë dhe ka gjithashtu afera të ndryshme korruptive. Dhe kjo kulturë, kjo praktikë të gjitha këto propozime tregojnë në një farë mënyre se vendet e BE-së, po duan t’i heqin personat jo kompetent nga vendet e tyre dhe t’i dërgojnë në BE. Në njëfar mënyre po i transferojnë problemet e tyre prej vendeve natare tek institucionet e BE-së dhe kjo do ta vështirësojë funksionimin e Bashkimit Evropian. Vështirë se do të mund të gjejnë zgjidhje sfidat nëpër të cilat është duke kaluar Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Ramadani.

Sipas tij, në raport me Kosovën, emërimi i Borrellit si pasardhës i Mogherinit, do të shënojë një kthesë shumë negative.

“Pasardhësi i Mogherinit do të shënoj një kthesë shumë negative në raport me qasjen që Bashkimi Evropian e ka pasur me Kosovën. Nëse deri tash dikush ka menduar që Mogherini i ka mbajtur anën më shumë Serbisë sesa Kosovës, ky ministër unë besoj se do të jetë shumë më i keq. Do të ketë një qasje shumë më refuzuese e neglizhuese në raport me Kosovën. Kjo do ta alarmoj do ta tjetërsoj Kosovën sepse do të ndihet sikurse e diskriminuar, përjashtuar dhe e luftuar nga Bashkimi Evropian”, u shpreh Ramadani.

Sipas tij, Kosova duhet të kërkojë zgjidhjen te Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket çështjes së dialogut pas emërimit të Borrellit.

“Në rastin e dialogut kjo lëvizje në BE mund ta shtyjë Kosovën edhe më tepër drejt SHBA-së. Dhe të kërkojmë zgjidhje diku në Ëashington dhe në BE. Sepse me këto lëvizje BE e ka dëmtuar shumë kredibilitetin e vet si brenda ashtu edhe jashtë unionit. Normal që Borrell si ministër i Jashtëm i Spanjës nuk mund ta luaj politikën e njëjtë në Bashkimin Evropian sepse pritet të ketë kufizime për shkak të Bashkimit Evropian dhe aty nuk është Spanja që ai me refuzu në mënyrë kategorike mirëpo, kjo tregon për preferencat dhe tendencat e tij. Dhe kjo nuk ka me qenë në favor të Kosovës do të jetë më keq se sa që ka qenë deri tash”, theksoi Ramadani.

Edhe Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, ka thënë për lajmi.net, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi.

Ismaili ka thënë se emërimi i Borrellit mund të mos jetë në favor të Kosovës.

“Është e vërtetë që z. Borrell vjen nga Spanja, një prej vendeve që ka qëndrimin më të ngurtë sa i përket çështjes së Kosovës. Në këtë aspekt emërimi i tij si përfaqësues i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri mund të duket që nuk do të jetë në favor të Kosovës. Megjithatë, në këtë rol z. Borell nuk do të përfaqësoj qëndrimin individual të Spanjës por të BE-së si tërësi. Prandaj, në institucione të tilla nuk është shumë me rëndësi individi sa është më rëndësi politika e përbashkët që kanë të gjithë akterët. Personat përgjegjës mund vetëm të përcjellin qëndrimin zyrtar, por nuk mund të marrin vendime”, ka shpejtuar Ismaili.

Ai ka thënë se sa i përket çështjes së dialogut, Kosova më shumë se kurrë duhet të krijojë një qëndrim të unifikuar dhe dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të përfundojë pa përfshirjen e SHBA-së.

“Sa i përket specifikisht çështjes së Kosovës dhe dialogut, konsideroj se Kosova së pari duhet të krijoj një qëndrim të unifikuar brenda spektrit politik Kosovar, dhe krijimi i këtij qëndrimi do ndikonte në humbje të relevancës se asaj se kush qëndron në krye të BE-së. Përfundimi i procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të mendohet në asnjë mënyrë pa një rol të rëndësishëm të SHBA-së, prandaj kjo do të ndodhë pa marrë parasysh se kush do të jetë në krye të BE-së”, ka deklaruar Ismaili për lajmi.net.

Theksojmë se dialogu në mes të të Kosovës dhe Serbisë është bllokuar pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për mallrat me origjinë serbe e boshnjake nga nëntori i vitit të kaluar.

Që nga ajo kohë, pala serbe vazhdimin e dialogut e ka kushtëzuar me heqjen e taksës.

Ndërkaq për vazhdimin e dialogut the kthimin në tryezë të bisedimeve të të dy shteteve ishte angazhuar edhe Franca e Gjermania përmes Samitit të Berlinit dhe Parisit mirëpo, në Berlin palët nuk u pajtuan kurse Samiti i Parisit dështoi dhe nuk u mbajt fare.

Komento: