Ministria e Endrit Shalës, të punësuar shumë njerëz pa kontrata të rregullta

13:03 | 04 Korrik 2019

Punësimë të paligjshme në ministrinë që udhëhiqet nga Endrit Shala.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që udhëhiqet nga Endrit Shala është mbushur me njerëz të partisë e familjarë të bashkpartiakëve.

Vitin e kaluar, MTI-ja ka punësuar shumë njerëz me kontrata të pa rregullta.

Zyra e Auditorit Kombëtarë ka gjetur se ky institucion në vitin 2018 ka punësuar shumë zyrtarë me kontrata për shërbime të veçanta më gjatë se gjashtë muaj, shkruan lajmi.

Sipas Ligjit për Shërbyes civil nr.03/L-149, nenit 12 organizata buxhetore mund të angazhojnë punëtorë me afat të caktuar në bazë të kontratave “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, për më pak se gjashtë muaj.

“Ministria ka vazhduar angazhimin e kontratave për shërbime të veçanta. Vitin e kaluar (2017) ishin 20 punëtorë, ndërsa në 2018 ky numër ka arritur në 45 të punësuar me këtë lloj kontrate, ndërsa sipas Ligjit të Buxheti nga gjithsej 248 pozita të aprovuara, vetëm 210 pozita janë të mbuluara me zyrtare te rregullt.

Angazhimi për shërbime të veçanta është në programet e përhershme të punës të cilët trajtohen si të punësuar të rregullt (vijueshmëria, pushimet vjetore) ndërsa paguhen nga mallrat dhe shërbimet, ku prej tyre 32 kanë kaluar periudhën e angazhimit për më shumë se gjashtë muaj (nga 7 deri 33 muaj). Moskujdesi për të plotësuar pozitat e lira të aprovuara me buxhet, ka shkaktuar vazhdimin e këtyre kontratave”, thuhet në Raportin e Auditimit për ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për vitin 2018.

Auditori ka shfaqur rrezikun që angazhimi me marrëveshje për shërbime të veçanta për pozita të përhershme dhe me më shumë se gjashtë muaj, pa një konkurrueshmëri në procesin e angazhimit (rekrutimit) rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit, rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat dhe cilësia e shërbimeve të ofruara nuk mund të jetë e nivelit të duhur.

ZKA ka rekomanduar që ministri duhet të sigurojë që të plotësohen të gjitha vendet e lira të punës të aprovuara me buxhet dhe të sigurojë se angazhimet e tilla të iu përmbahen kërkesave ligjore.

Auditori ka evidentuar edhe shkelje të tjera në këtë ministrinë, ndërkohë i ka dhënë edhe disa rekomandime.

Punësime të dyshimta në këtë ministri janë bërë edhe në pozitat e rregullta- si nëpunës të karrierës.

Vetëm gjatë këtij viti, në tre muajt e fundit në MTI janë punësuar tre këshilltarët politikë të ministrit Endrit Shala dhe që të tre kanë pozita drejtuese në partinë Nisma Socialdemokrate së cilës i takon edhe ministri Shala.

Komento: