Përfundon ndeshja, Argjentinë-Kili, ja kush e rrëmbeu vendin e tretë

23:09 | 06 Korrik 2019

Ka përfunduar ndeshja mes Argjentinës dhe Kilit.

Argjentina ka arritur që të fitojë finalen e vogël të Kupës së Amerikës ndaj Kilit. Albicelestët e mbyllin në vendin e tretë, pasi triumfuan 2-1 në një ndeshje që u shoqërua me shumë polemika.

Skuadra e Scalonit shënoi dy gola brenda 22 minutave të para. Në minutën e 12-të, Messi befason kilianët duke ekzekutuar shpejt një goditje dënimi, për të pasuar te Aguero, i cili me një qetësi vrastare e dërgoi topin në rrjetë. Argjentina nuk u ndal me kaq, pasi 10 minuta më pas Paulo Dybala me një veprim të bukur arrin që të shënojë dhe golin e dytë duke i treguar trajnerit Scaloni që ka gabuar që nuk i ka dhënë më shumë hapësira.

Në minutën e 37-të pas një dyluftimi Lionel Messi dhe Gery Medel janë përplasur me trup me njëri-tjetrin. Edhe pse konflikti nisi nga mbrojtësi kilian, arbitri i ka ndëshkuar të dy me karton të kuq duke i larguar nga fusha. Kili do të shkurtonte diferencat në minutën e 59-të me Arturo Vidal, por pa mundur që të barazonte më pas.

Komento: