Probleme me ajrin në sallat e kirurgjisë në QKUK

17:15 | 09 Korrik 2019

Mjekët në sallat e operacionit po përballen edhe me probleme tw klimatizimit.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përkatësisht në sallat operative në bllokun kirurgjik është prishur sistemi i klimatizimit (ajrimit).

Për këtë arsye mjekët të cilët kryejnë operime të ndryshme nëpër salla operative bashkë me gjithë stafin përcjellës janë të detyruar të kryejnë operacione në temperatura të papërshtatshme, duke rrezikuar edhe shëndetin e pacientëve.

Zyra për informim në QKUK në një përgjigje dhënë Telegrafit, ka thënë se sa i përket sallave operative në bllokun kirurgjik, janë në fazën e vlerësimit të dëmit.

Sipas tyre, është identifikuar se bëhet fjalë për prishje-dëmtim të çilerave, problem ky që ka qenë për vite të tëra.

“Sa i përket sallave operative në bllokun kirurgjik, jemi në fazën e vlerësimit të dëmit, është identifikuar se bëhet fjalë për prishje-dëmtim të çilerave, problem ky që ka qenë për vite të tëra”, thuhet në përgjigjen e zyrës së informimit të QKUK-së.

Komento: