Nuk humb kohë De Ligt, zgjedh numrin e fanellës te Juve

22:19 | 14 Korrik 2019

De Ligt nesër do të i kryejë testet mjekësore te Juventusi.

Pas ditësh të ethshme negociata, fillimisht me lojtarin dhe menaxherin e tij, Mino Raiola; pastaj me Ajax, Juventusi i ka siguruar shërbimet e Matthijs de Ligt.

19-vjeçari holandez ishte më i kërkuari në merkaton e kësaj vere, teksa Barcelona dhe PSG bënë gjithçka për ta bërë të vetin. Nesër pritet të kryejë vizitat mjekësore te kampionët e Italisë.

Deklarata e Ajax, që e linte jashtë listës së lojtarëve të grumbullimit e përgatitores në Austri, vërtetonte se diskutimet mes bardhezinjve dhe klubit të njohur holandez po shkonin drejt akordit total. Kontratat janë gati të detajohen plotësisht, bashkë me format e pagesës.

Marrëveshja mes dy klubeve është arritur për 75 milionë euro. De Ligt do të nënshkruajë me “Zonjën e Vjetër” një kontratë 5-vjeçare, me pagë 12 milionë euro në sezon, dhe një klauzolë lirimi prej 150 milionë euro.

Lojtari pritet në Torino nesër. Sipas gazetës “Gazzetta dello Sport”, ai do të mbajë në fanellë numrin 4, të njëjtin si në Holandë. Ky numër, fatmirësisht, ishte i lirë te bardhezinjtë, sepse në sezonet e fundit i përkiste së pari Benatia dhe më vonë Caceres. Në të kaluarën, gjithashtu, kujtojmë se këtë fanellë e kanë veshur edhe lojtarë të tillë si Montero, Vieira dhe Felipe Melo.

Komento: